Basha prezanton librin: Arsyet pse ‘Misioni im’ është një letër për shqiptarët

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka prezantuar librin e tij “Misioni im”, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Në fjalën e tij para të rinjve në Qytetin Studenti, Basha e cilësoi ditën e sotme një ditë plot emocione për të.

Ndër të tjera, Basha sqaroi edhe arsyet pse këtë libër e sheh si një letër të hapur për shqiptarët dhe kryesisht për të rinjtë që të përfshihen drejtpërdrejt në politikë.

Lulzim Basha: ”Për mua është një emocion i trefishtë. E para, që jam këtu në një pozitë të pazakontë, unike për mua deri tani ndërkohë që përvoja politike e këtyre viteve ka lënë pak gjëra pa provuar ose pothuajse aspak në kuptimin e angazhimit publik. Së dyti, data dhe se treti, vendi ku po e bëjmë këtë prezantim. Dua me dy fjalë t’ju them që libri është një letër e hapur në thelb. Nuk është një rrëfim autobiografik siç e tha Flutura me të drejtë ndoshta mund të kishte qenë edhe më i pasur me detaje personale. Ndonëse në këndvështrimin tim edhe natyrën time, ka goxha bile në një moment tjetër do thoja ka më shumë se ç’ duhet duke patur parasysh natyrën time.

Por nuk është një rrëfim autobiografik, nuk është as thjeshtë një përkthim i programit tonë politik, i planit tonë për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza sepse edhe për faktin e thjeshtë se libri ka nisur të avizohet kohë përpara nxehjes së motorëve elektoral por është një letër e hapur drejtuar shqiptarëve, në veçanti rinisë për një angazhim të drejtpërdrejtë në politikë, për një pjesëmarrje në publiken në jetën publike si rruga e vetme për të siguruar ndryshimin, si rruga e vetme për të siguruar atë që duam.”