Kryedemokrati Basha ka akuzuar për herë të parë publikisht kreun e shtetit, Ilir Meta, se është rreshtuar krah ish-kryeministrit Sali Berisha në luftën për t’i marrë drejtimin e PD-së. Dje, duke folur në foltoren e Kuvendit, shefi i selisë blu akuzoi dyshen Meta-Berisha dhe kryeministrin Edi Rama, se janë bërë bashkë për ta rrëzuar atë nga lideri i opozitës.
“E ke hallin ti tek PD, ke hall ti sesa demokratë mbledh unë. Të ka marrë malli ty? Të ka marrë malli? Thuaj më ka marrë malli për Sali Berishën dhe Ilir Metën, thuaje ta dëgjojnë të gjithë. Shko dhe ti në foltore, ose fillo foltoren tënde. Bëni trekëndëshin e Bermudës dhe qani hallin bashkë të tre nëse i keni të njëjtat. Unë jam këtu për të qarë hallet e shqiptarëve, as të tuat as të Sali Berishës dhe as të Ilir Metës. As të atyre që ju rrinë nga mbrapa ju. Kështu që, ti të paktën dil hapur, mos u fshi. A do ta plotësojnë dëshirën ty demokratët të na kthesh pas? Të jesh i sigurt që jo. Jo, s’kanë për ta plotësuar, mua do më kesh përballë, jo Sali Berishën”, deklaroi ai.
Basha teksa e cilësoi Ramën, Berishën dhe Metën si trekëndëshi i Bermudës, u shpreh se ata i kanë ditët e numëruara, pasi sipas tij, do të marrin goditje të fortë prej tij. “Sakrifica e demokratëve në emër të shqiptarëve, nuk do të shkojë kot. Masakra zgjedhore e 25 prillit nuk do të mbajë gjatë. Vendosmëria ime është e pakthyeshme! Trekëndëshi i Bermudës i ka ditët e numëruara! Kështu që jepini gajret njëri-tjetrit sa të doni, por shpëtim nga ajo për të cilën u keni hyrë në hak shqiptarëve, ti i pari dhe mbi të gjithë, nuk keni për të pasur. Gjërat kanë ndryshuar një herë e mirë. Një pas një, brinjët e trekëndëshit të Bermudës do të bien”, u shpreh ai.