Kryedemokrati Basha ka paralajmëruar se PD do të thërrasë protesta më të mëdha siç nuk ka njohur ky vend. Ai u shpreh se protesta e organizuar pak ditë më parë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, ishte thirrur nga qytetarët.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka komentuar sot korrigjimin që Ambasada Amerikane i bëri ditën e mërkurë njoftimit të saj, ku në një përditësim të thirrjes për kujdes nga tubimi, e hoqi togfjalëshin se protesta “ishte thirrur nga Partia Demokratike”. Sipas kryedemokratit, protesta ishte e thirrur nga qytetarët dhe PD do e mbështesë, nxisë dhe inkurajojë atë.
“E keni parë pjesëmarrjen e PD në protestë? Jo si politikanë, por si qytetarë. Keni parë dhe korrigjimin e bërë në njoftimin e një Ambasade e të një vendi partner. Kur thërrasim protesta, nuk fshihemi pas askujt. Ne do të thërrasim protesta më të mëdha, siç nuk ka njohur ky vend.
Nuk është çështje partie, por kombëtare, qytetare. Ne jemi të lumtur që qytetarët kanë nisur aktivizimin. Çdo akt provokativ do të bëjmë gjithçka për ta shmangur, pasi nuk ishim ne që e çuam atë flamur atje.
Ne do të mbështesim me çdo mënyrë dhe formë. Për këtë mos të keni as më të voglin dyshim. Në fushën e ligjit, teknologjisë dhe informacionit, integrimin europian, PD disponon potencialet njerëzore, profesionale, ekspertët më të mirë, deklaroi ai.