Partia Demokratike çeli sot fushatën elektorale në qytetin verilindor të Bajram Currit.
Kryetari Lulzim Basha, gjatë fjalës që mbajti para banorëve të Tropojës, e quajti këtë të fundit si djepin e demokracisë, të Azem Hajdarit dhe Sali Berishës, dhe malësorët si demokratë të devotshëm që nuk u përkulën përballë asnjë persekucioni.
Ai u kërkoi votën tropojanëve, duke u prezantuar Partinë Demokratike si alternativën e vetme për t’i nxjerrë ata dhe gjithë Shqipërinë nga kriza, ku sipas tij i ka zhytur qeverisja e Edi Ramës.
Basha tha se Tropoja qëndron në krye të listës së diskriminimit nga qeveria e Ramës. “Rama ju premtoi ulje të faturës së energjisë, por e ngriti atë, premtoi ulje të çmimit të karburantit për fermerët por e ngriti atë, premtoi ulje të papunësisë por rriti numrin e të papunëve” theksoi ai.
Teksa i përsëriti ftesën Ramës për debat publik, Basha i kujtoi atij se i ka mbetur në dorë thjeshtë timoni, pasi “makinën” e ka shkatërruar plotësisht përgjatë mandatit katër vjeçar.