Basha nga Pogradeci: Mbylljani derën Ramës, votoni ndryshimin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përmbylli fushatën elektorale në qytetin e Pogradecit.

Gjatë fjalës së tij, Bashau kërkoi votën pogradecarëve, duke premtuar se me ardhjen  e PD në pushtet, shqiptarëve do t’u hapet porta e mbyllur e Europës.

Ndër të tjera, Basha kërkoi nga qytetarët që të mos ja hapin derën kryeministrit Edi Rama për herë të tretë, por të votojnë për ndryshimin.

Lulzim Basha: “E diela është dita e fitores më të madhe që Shqipëria ka pasur ndonjëherë. Dita e shqiptarëve dita e ndryshimit dhe  e fitores. Nga Durrësi në Tiranë, nga Gjirokastra në Tropojë, anë e mbanë, zemrat janë mbushur me gëzim për të bërë këtë të dielë ditën kur Shqipëria do të fitojë.

Për 8 vite nuk i keni ndjerë të mirat e punës suaj. Mbylljani derën dhe dritaren Edi Ramës, hapini zemrat tuaja, çlironi gëzimin e fitores së madhe sepse Shqipëria nuk është e Edi Ramës, ky është vendi ynë, Pogradeci i pogradecarëve.

Ne së bashku do të punojmë që pasuritë dhe bekimet e Shqipërisë t’i gëzojë çdo shqiptar. Ky është vendi ynë, le të marrim në dorë fatin tonë. Le të votojmë numrin 9 për të hapur portën e mbyllur të Europës, për të bërë të mundur hapjen e negociatave me BE. Votoni numrin 9, Shqipëria fiton.”