Basha në Patos: Do bëj gjithçka që fëmijët të mos largohen nga Shqipëria

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte ditën e sotme në Patos, ku u takua me disa nëna, fëmijët e të cilëve ndodhen në emigracion.

Basha është prekur nga fjalët e tyre, duke i premtuar se do të bëjë gjithçka që djemtë, të mos shohin emigrimin si rrugë të vetme për mbijetesë.

Ndër të tjera, Basha u shpreh se emigracioni është plaga më e madhe që po vuan sot Shqipëria.

Lulzim Basha: Do bëj gjithçka që djemtë dhe bijat e nënave mos kenë largim nga Shqipëria rrugë të vetme për të mbijetuar. Nuk është vetëm plagë e madhe, emigracioni është plaga më e madhe. Dhimbja që ndjeni ju si nëna  nuk ka përshkrim. Emigracioni këto vitet e fundit është kthyer në katastrofë kombëtare. Emigracion ka dhe do ketë, madje ne kemi luftuar që njerëzit të lëvizin të lirë. Por tani Shqipëria po zbrazet, këtu nuk gjejnë kushtet për të ndërtuar jetën. Çfarë kërkon rinia? Arsimin, punësim, dhe mundësi të ndërtojnë familje. Fëmijët duan siguri, kujdes shëndetësor, arsimin, standarde minimale. Po kështu shëndeti i prindërve. Në këto kushte, një shoqëri bën hapa përpara. Në këto 8 vite Shqipëria ka mbetur në vend. Edhe në fushat që kemi qenë më parë, fqinjët na e kanë kaluar.