Basha në Kombinat: Procesi i rindërtimit do të përshpejtohet

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijoi takimet elektorale në njësinë 6 në zonën e Kombinatit, ku dëgjoi dhe disa nga shqetësimet e banorëve të goditur nga tërmeti i 26 nëntorit.

Teksa pa nga afër dëmet e shkaktuar në një apartament, Basha garantoi se me ardhjen në pushtet, procesi i rindërtimit do të përshpejtohet, dhe se rivlerësimi do të bëhet transparent.

Ndër të tjera, kryedemokrati u shpreh se pallatet e reja do të ndërtohen aty ku ishin pallatet e vjetra, dhe nuk do të zhvendosen gjetkë.

Lulzim Basha: ”Procesi i rindërtimit tregoi edhe një herë dështimet e kësaj qeverie, Gënjeshtra më e madhe është që do të ndalim procesin e rindërtimit. Ata kanë pasur si synim vjedhjen e parave. Do të bëhet rivlerësimi i çdo banese sipas kërkesës së qytetarëve. S’do lejojmë as diskriminim, as grabitjen e shtëpive dhe trojeve të qytetareve, për këtë ju garantoj. E treta, kudo ku rindërtimi është nevojë reale, do ë përshpejtohet. Do bëhet disbursimi financiar.

Pallatet do të ndërtohen aty ku kanë pasur banorët pronat e tyre. Ata po bëjnë dëm në kurrizin tuaj. Në 25 prill, duke votuar numrin 9, na jepni mundësi që të vazhdojmë procesin e rindërtimit. S’jam inxhinier ndërtimi, s’vij këtu si i tillë, por të kërkoj votën që të drejtoj qeverinë e nesërme. Problemi është i qartë edhe zgjidhja është e qartë. Përgjegjësia është e juaja. Në 25 prill, votoni masivisht numrin 9.”