Basha, mësuesve: Nuk do të ndëshkoheni nëse keni qëndrime të kundërta politike

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi ditën e sotme një bashkëbisedim me mësues të arsimit parauniversitar në njësinë 11 në Tiranë, në Laprakë.

Gjatë fjalës së tij, Basha u shpreh se mësuesit nuk po punojnë lirisht prej drejtuesve, teksa vetë thotë se 25 prilli do të jetë ndryshimi i madh.

Madje, Basha tha se mësuesit nuk do të ndëshkohen nëse kanë qasje të kundërta politike me të si kryeministër apo qeverinë e PD.

Lulzim Basha: ”Ajo që  doja të thoja që kushtet e punës dhe pagat janë kryesorja. Kushtet e punës mos të flasim për politizimin e skajshëm që i është bërë arsimit në tërësi, arsimit parauniversitar, por edhe arsimit universitar. Një nga misionet kryesore të normalizimit të politikës shqiptare, është që ta largojë frikën si një instrument sundimi. Njerëzit duhet të jenë të lirë të thonë mendimet e tyre dhe kjo është A-ja e demokracisë!

Ky është formimi im, kjo është kërkesa juaj, kjo është minimumi që meriton Shqipëria dhe shqiptarët! Ndaj, 25 Prilli do të jetë një ditë ndryshimi i thellë, edhe në raport me qasjen e politikës, edhe në raport të qasjes ndaj politikës, edhe në raport të qasjes së lirisë së njerëzve për të shprehur mendimet e tyre arsimtarët nuk do të ndëshkohen nëse kanë qëndrime të kundërta politike me qeverinë e ardhshme, me kryeministrin e ardhshëm.

Nuk do të vlerësohen thjeshtë mbi pikëpamjet e tyre politike, do të vlerësohen vetëm mbi bazën e profesionalizmit dhe performancën në detyrë. Ky është borxhi që kemi ndaj fëmijëve, ky është borxhi që kemi ndaj Shqipërisë së nesërme e cila është tërësisht në duart e prindërve dhe mësuesve, mësuesve dhe prindërve.”