Basha me të rinjtë shkodranë: Nuk ka rrugë tjetër për ndryshim përveçse votës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një bashkëbisedim me të rinj profesionistë në qytetin e Shkodrës.

Gjatë fjalës së tij, Basha u ka bërë thirrje të rinjve shkodranë që të bashkohen me opozitën për të sjellë ndryshimin.

Sipas tij, ata duhet të shkojnë derë më derë tek të lëkundurit, të pavendosurit dhe votuesit për herë të parë që t’ju thonë se nuk ka rrugë tjetër përveç votës.

Lulzim Basha: ”Ndaj ju kërkoj të bëheni edhe ju pjesë e forcave të gjalla që shkoni derë më derë e në veçanti tek ata që janë të lëkundur, të pavendosur, votues për herë të parë, njerëz që e kanë humbur besimin tek politika e t’ju shpjegoni, nuk ka rrugë tjetër për ndryshim. Përveçse votës me 25 prill dhe pastaj përmes votës dhe votimit, për të insistuar që politika të bëhet më e mirë dhe t’ju shërbejë njerëzve. Nuk ka rrugë tjetër, përndryshe në qoftë se mbetemi këtu ku jemi e dimë çfarë ka ndodhur këto tetë vite, keq e më keq do shkojë.

E vetmja rrugë për ta ndryshuar është të dalim të votojmë masivisht dhe unë e di që Shkodra do ti prijë kësaj, po prapë se prapë asnjë vajzë, asnjë djalë i ri, asnjë zonjë, asnjë burrë, nuk dua të mbetet pa votuar. Ndaj për këtë kërkoj ndihmën tuaj dhe ju jap fjalën se do angazhohem me mish e me shpirt, që çdo angazhim që kam marrë përpara shqiptarëve edhe sot para jush, ta bëj realitet.”