Pas takimit me Presidentin e Republikës Ilir Meta, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje është pritur edhe nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Përmes një postmi në rrjetet sociale, Basha u shpreh se e uroi Kurtin për fitoren dhe se biseduan për sfidat që kanë përpara dy shtetet tona.
Basha i garantoi Kurtit se nesër kur ai të bëhet kryeministër, do të bëjë gjithçka për të rritur dhe forcuar bashkëpunimin me Kosovën në funksion të zhvillimit ekonomik, punësimit, njohjes së saj nga vende që ende se kanë bërë si dhe anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare.
”Prita sot me kënaqësi liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministrin në ardhje të Kosovës Albin Kurti. E urova për fitoren e zgjedhjeve parlamentare dhe modelin që Kosova i dha Shqipërisë dhe gjithë rajonit për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve edhe pse në kushte pandemie.
Biseduam për sfidat që ka përpara Shqipëria dhe Kosova. Nënvizova gjatë takimit me zotin Kurti nevojën jetike që ka Shqipëria për ndryshim në zgjedhjet e 25 prillit dhe e garantova se nesër si kryeministër i Shqipërisë do të bëj gjithçka për të rritur dhe forcuar bashkëpunimin me Kosovën në funksion të zhvillimit ekonomik, punësimit, njohjes së saj nga vende që ende se kanë bërë si dhe anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare.’’, shkruan Basha në rrjetin social, Facebook.