Basha kujton bisedën me bashkëshorten: Më mbeti në mendje fjala e saj

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha teksa ka prezantuar librin e tij ”Misioni im”, ka treguar edhe një bisedë me bashkëshorten e tij, Aurelën.

Gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë në Qytetin Studenti, Basha tha se bashkëshortja e tij Aurela, kishte filluar të qante në momentin që PD-ja fitoi zgjedhjet në vitin 1992.

Basha tregoi se ndërsa e kishte pyetur se përse po qante ndërkohë që ata fituan, ajo i ishte përgjigjur se kishte frikë se mos zhgënjehej.

Lulzim Basha: ”Kemi qenë bashkë me disa shokë të gjimnazit dhe bashkë me atë që më vonë u bë bashkëshortja ime, me Aurelën dhe një moment ndërkohë që njerëzit brohorisnin iu përlotën sytë. I thashë çfarë ke, njerëzit po gëzojnë, çfarë ke kemi fituar. Kam frikë tha dhe na u kujtua ’91-shi, ngjarjet e ’91-it, ku pas fitores te PPSH-së pati turbullira, pati viktima mes tyre të rinj. I thashë çfarë frike, kjo ka mbaruar, fituam. Jo, jo tha, kam frikë nga gjithë ky gëzim i njerëzve. Thashë pse ke frikë nga ky gëzim i njerëzve. Kam frikë tha sepse kam frikë mos zhgënjehem.

Më ka mbetur në mendje kjo thënia dhe më ushtoi nga brenda si një thirrje që s’më la asnjëherë në subkoshiencë. Më është kujtuar kur përfunduam librin, kur libri ishte gati dhe e çuam për print më është kujtuar dhe e ndava me të, i thashë të kujtohet kjo, mbeti dhe tha po më kujtohet si ka mundësi e mban mend diçka që ka ndodhur kaq kohë përpara. E mbaj mend i thashë sepse është ndoshta një nga motivet që më shtyu të përfshihesha, mos ti zhgënjenim më njerëzit, të bënim gjithçka që shpresat e tyre për një jetë normale, për një Shqipëri normale, për një Shqipëri Europiane, të mos zhgënjeheshin”.