Basha denoncon: Në listat e PS, njerëz të botës së krimit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim me ‘Forumin Perspektivat për një të Ardhme Europiane’, organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer dhe Akademia Politike.

Gjatë fjalës së tij, Basha u shpreh se në listat e Partisë Socialiste, ka ende persona me rekorde të zeza kriminale.

Sipas tij, kryeministri Edi Rama dhe qeveria të cilën ai drejton, janë në konflikt me interesin, me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Basha i bëri thirrje SHBA-ve dhe Bashkimit Europian që të flasin qartë sot dhe jo pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Lulzim Basha:Prioritetet e vendit janë të qarta. Objektivat e Partisë Demokratike, të Aleancës për Ndryshim, të koalicionit tonë, janë të qarta. Pa luftuar korrupsionin, pa ndarë politikën nga krimi, Shqipëria nuk do të ecë përpara. Ky është parakusht. Tashmë, edhe parakusht zyrtar i Bashkimit Europian dhe i Këshillit Europian. Zbatimi real i ligjit të dekriminalizimit, zgjidhja e duarve të drejtësisë, avancimi deri në fund i reformës në drejtësi, me duart larg nga partitë politike. I vetmi kontribut që partitë politike mund të japin për reformën në drejtësi është që të mbajnë duart larg.

Ne e kemi dhënë shembullin tonë, ne jemi ata që iniciuam dhe detyruam, ndonëse në pakicë, Edi Ramën të miratonte ligjin e dekriminalizimit, me ndihmën e Parlamentit Europian, me ndihmën e Marbrohut dhe të Eduart Kukan, dhe madje, edhe të socialistëve europiane Flenkeshtajn, por ky ligj duhet zbatuar. Sot, në listën e Partisë Socialiste, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka prapë persona me rekorde të zeza kriminale, përfaqësues dhe bosë të krimit të organizuar. është fare e qartë dhe unë pres, që Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të flasin qartë dhe prerë për këtë sot, jo pas zgjedhjeve. Kjo qeveri dhe ky kryeministër janë në konflikt me interesin, me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ky proces do të thotë më shumë transparencë.”