Bardhi kallëzon Ballën në SPAK: Vartësit e tij kërcënojnë qytetarët për votën

Drejtuesi politik i PD në Elbasan, Gazment Bardhi, ka kallëzuar penalisht në SPAK rivalin e tij në këtë qark, Taulant Ballën.

Gjatë intervistës në emisionin “Real Story”, në Nwës24, Bardhi tha se e ka të konfirmuar që persona nga shtabi elektoral i Ballës marrin në telefon të gjithë qytetarët me ndihmë ekonomike dhe i kërcënojnë që të votojnë për PS, ose në të kundërtën u thonë se do t’u heqin ndihmën.

Ndër të tjera, ai shtoi se po të njëjtën numra i marin në telefon qytetarët dhe u thonë se iu kanë dyfishuar ndihmën ekonomike.

Gazment Bardhi: “Jemi në një koalicion opozitar me LSI, nuk kemi ndasi programore. Edhe LSI ka në fokus të programit ekonominë, për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet vendi. Më besoni vij nga një qark ku takoj çdo ditë qytetarë, të cilët nuk kanë para për të mbyllur ditën. Fokusi ynë është ndryshimi i situatës ekonomike në vend. Sot ne kemi një njeri që kontrollon gjithçka, pushtetin lokal, atë qendror, shantazhin mbi drejtësinë. Vijnë njerëz në takim dhe na lutem të mos nxjerrim fotot, se thonë na heqin ndihmën ekonomike. Nga ana tjetër, në duart e zyrtarëve të PS kanë përfunduar para të pista, që do të përdoren në fushatë.

Unë kam dorëzuar dje në SPAK një kallëzim penal ndaj Ballës, pasi kemi raste konkrete ku persona nga shtabi i tij elektoral marrin persona me ndihmë ekonomike në telefon dhe i kërcënojnë me heqjen e ndihmës, nëse nuk votojnë për PS. Ne i kemi identifikuar të gjitha numrat që marrin qytetarët. Ose marrin njerëz në telefon dhe iu thonë “Ndihma ekonomike iu është dyfishuar nga Taulant Balla”. Kjo është kriminale. Mjafton një hetim nga SPAK për të verifikuar numrat e telefonit. Janë telefonuar të gjithë personat që marrin ndihmë ekonomike në Qarkun e Elbasanit”.