E mërkurë, 26 Janar, 2022
-7.5 C
Tirana

Banania zëvendësohet nga paletat e drurit e qymyrit, s’ndalen importet nga Kolumbia

Teksa në muajt e parë të këtij viti në portin e Maltës janë kapur katër herë ngarkesa me kokainë brenda kontenierëve, që transportonin mallra nga Amerika e Jugut drejt Shqipërisë, të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se tregtia zyrtare me këto vende, sidomos me Kolumbinë, është shumëfishuar.

Shifrat e INSTAT tregojnë se në tre muajt e para të këtij viti, nga Kolumbia u importuan në Shqipëri mallra me vlerë 670 milionë lekë, me një rritje prej rreth 60% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Që nga viti 2017, është konstatuar një rritje e ndjeshme e importeve nga shteti i largët i Amerikës së Jugut, i njohur si një nga prodhuesit më të mëdhenj të kokainës në botë. Për periudhën janar-mars, në krahasim me 2016-n, importet nga Kolumbia në Shqipëri janë rritur me 13 herë (shiko grafikun: Importet nga Kolumbia janar-mars). Për tre mujorin e parë të këtij viti, Kolumbia u rendit në partnerin e 33 tregtar të Shqipërisë, sa i përket importeve, nga partneri i 104 që ishte në vitin 2014, sipas të dhënave të INSTAT.

Fillimisht, produkti që njohu rritje të lartë nga Kolumbia ishte banania. Sipas INSTAT në tre muajt e parë të 2018-s, importet e bananeve u katërfishuan, në raport me të njëjtën periudhë të 2017-s, duke arritur në 115 milionë lekë. Kujtojmë që në shkurt 2018 u kap në Portin e Durrësit një kontenier me banane që vinte nga Kolumbia, ku ishin fshehur 613 kg kokainë, sasia më e madhe e kokainës e kapur ndonjëherë në vend.

Kapja e kësaj sasie, duke se “stepi” importuesit e bananeve, teksa për gjithë vitin importet e këtij produkti ishin 327 milionë lekë, me rritje 11% me bazë vjetore.

Teksa importet e bananeve u ngadalësuan (për tremujorin e parë 2019, importet e frutave-bananave ranë me 68% me bazë vjetore), një tjetër produkt gjeti rrugën drejt Shqipërisë. Sipas INSTAT, bëhet fjalë për “Lëndët djegëse minerale, vajrat minerale dhe produktet e distilimit të tyre” dhe konkretisht, sipas statistikave më të detajuara të Comtrade për nëngrupin e koksit dhe qymyrit “Koks dhe gjysëm koks prej qymyrit, linjitit apo prej torfe, karbon i konvertuar“. Ky produkt filloi të importohet për herë të parë në 2017-n dhe në tre muajt e parë të 2019-s ai arriti në 553 milionë lekë, ose 83% e importeve totale nga Kolumbia. Paletet e qymyrit janë një tjetër mjet i preferuar i trafikantëve në Europë. (Psh në 2015-n në Spanjë është kapur një prej sasive më të mëdha të drogës, 1.4 ton kokainë. Autoritet britanike kanë arritur të identifikojë një anije në brigjet e qytetit të Valencias në Spanjë, e cila transportonte drogën nga Kolumbia. Kokaina ishte e kamufluar si qymyr dhe dru.

Autoritetet malteze kanë kapur katër herë gjatë këtij viti, kontenierë që vinin nga Amerika e Jugut dhe kishin si destinacion Portin e Durrësit. Nga ngarkesa e fundit që u kap në Maltë të shtunën e kaluar, dy kontenierë përmbanin 20 pako me kokainë secili, me peshë 48 kg dhe me një vlerë tregu 5.4 milionë euro, shkruan Malta Today.

Po sipas Malta Today në 15 prill zyrtarët e doganës Malteze kapën 27 pako me kokainë që peshonin 91.25kg, me një vlerë tregu prej 10.3 milionë eurosh. Dy kontenierë kishin mbërritur tranzit në Maltë nga Amerika e Jugut, me destinacion final Durrësin në Shqipëri, shkruajnë mediat e Maltës. Në 8 prill ishte kapur një ngarkesë tjetër me vlerë 2.7 milionë euro me destinacion final Shqipërinë dhe më herët në 25 mars u kapën dy kontenierë që transportonin fruta dhe ishin tranzit përmes Maltës nga Amerika e Jugut në Shqipëri.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se importet nga 5 shtetet e Amerikës së Jugut, të njohura si vende origjinuese të drogave të forta, Bolivi, Kolumbi, Ekuador, Peru, Venezuelë, u rritën me 40% në tremujorin e parë 2019, me bazë vjetore (shih grafikun: Importet nga vendet e Amerikës së Jugut (Bolivi, Kolumbi, Ekuador, Peru, Venezuelë), por ndikimin kryesor e ka dhënë Kolumbia, që ia ka kaluar dhe Ekuadorit, që ka qenë partneri më i madh nga këto vende (shih grafikun: Importet nga disa vende të Amerikës së Jugut).

Drejtori i Agjencisë së BE-së për Drogat (EMCDDA), Alexis Goosdeel, në një intervistë të fundit për “Monitor” ka pohuar se grupet shqipfolëse që kontrollojnë tregun e kokainës janë bërë një kërcënim domethënës për Europën. Duket se disa nga këto grupe që flasin shqip kanë vendosur tashmë linja direkte komunikimi me kartelet e drogës në vendet e Amerikës Latine, që janë prodhuese. “Kjo potencialisht po ndryshon dinamikën e tregut, sepse së pari, do të thotë se këto grupe kriminale shqipfolëse shkojnë dhe komunikojnë direkt në Amerikën Latine me prodhuesit. Në këtë mënyrë, ata mund të rrisin ndjeshëm normën e fitimit nga trafikimi i kokainës dhe kjo përfaqëson një mundësi të madhe korruptimi”, ka pohuar ai.

Ai shtoi se kjo është diçka e vëzhguar dhe dokumentuar jo vetëm nga EMCDDA, por edhe nga Europol dhe forcat e tjera policore. Kjo është diçka që duhet monitoruar dhe duhet të kuptohet më mirë se si funksionojnë të gjitha këto grupe të organizuara, cilat janë lidhjet e tyre, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sepse në çdo rast, tregu i tyre i synuar janë vendet e Bashkimit Europian./Monitor/

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Shpërthim i fuqishëm në Greqi, banorët zgjohen të alarmuar

Mëngjesin e sotëm, një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në Athinë, në fillim të bulevardit Syggrou. Mediat greke raportojnë se si pasojë e shpërthimit,...

FSHF regjistroi Veliajn/ Rama: I neveris përgjimet e bisedave!

Kryeministri Rama ka shuar heshtjen sa i takon një debati të fortë që ka ndodhur në orët e fundit pas publikimit të audio-përgjimit nga...

Në Turqi, qytetarët në radhë për të blerë bukë të lirë (VIDEO)

Pavarësisht motit me borë në Bursa, qytetarët krijuan radhë të gjata para kioskave të bukës BESAŞ për të blerë bukë të lirë. Qytetarët në rrethin...

Futet me thikë në dorë për të grabitur argjendarinë, pranga 35-vjeçarit

Blutë e Durrësit kanë arrestuar në flagrancë një 35-vjeçar, pasi ka tentuar të grabisë një argjendari në qytetin bregdetar. Në pranga ka rënë shtetasi...

Acari pushton vendin, nesër temperatura në -11 °C

Sot (e martë dt.25) dhe nesër (e mërkurë dt.26) ulja e ndjeshme e temperaturave dhe ngricat mund të krijojnë probleme të ndryshme dhe vështirësi...