Ish-presidenti Bamir Topi deklaroi sonte se Partinë Demokratike e drejton ende praktikisht ish- kryeministri Sali Berisha. I ftuar në emisionin “Studio e Hapur”, në News 24, Topi ka shprehur keqardhjen e madje ka dhënë edhe një arsye se perse sipas tij, Berisha ka hequr nga partia personalitete qe perbwjnw memorien e saj, si Topalli.
“Unë nuk e kam me zotin Basha, por me institucionin e kryetarit. Kam pasur pakënaqësitë e mia me disa që janë larguar padrejtësisht nga PD. Unë s’kam pasur marrëdhënie normale gjatë detyrës sime me zonjën Topalli se ishte pjesë e mendimit politik të Sali Berishës, por kjo s’më heq mua asnjë lloj të drejte të them që është bërë një gabim i madh që i hiqet memoria zonjës Topalli e të tjerëve. Marr Topallin se kemi bashkudhëtuar në momente shumë të vështira. Sot vjen një njeri që sipas meje s’është vendimmarrja e tij, s’ka gjëra në atë parti politike që bëhen pa ideimin e mjeshtrit të madh Sali Berishës,” deklaroi Topi.
Pse do i interesonte Berishës të hiqte ish-bashkëpunëtorët e tij?
“Unë duhet të rri gjatë që t’u jap atmosferën e brendshme. Historia është që në përfundim do të lërë një PD pa memorie të bashkëkohësve të tij, do t’ja lejë një personi që tek e fundit drejton një parti politike zyrtarisht, por praktikisht, unë jam i bindur për këtë punë, drejtohet..dhe kjo është arsyeja që shpresat që një opozitë do kthehet në mazhorancë jo janë minimaliste, por janë inekzitente dhe kjo është arsye që kryeministri aktual në vend që në mandatin e dytë të bëhet me i butë, bëhet më arrogant se është vetë sistemi që i prodhon këto,” tha Topi.