Kryesore

Balla thirrje Prokurorisë për familjen Berisha. Shkëlzeni: Beteja vijon

               Publikuar në : 13:11 - 11/02/19 marsela

Sot u mbajt seanca e radhës në Gjykatën e Tiranës, për shqyrtimin e padisë së ngritur nga Shkëlzen Berisha ndaj Taulant Ballës, në lidhje me deklarimet e këtij të fundit se Berisha nuk ka paguar taksat. Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla, i ka bërë thirrje Prokurorisë së Tiranës që të mos pushojë hetimet për Sali Berishën, djalin e tij dhe Ndue Kalaj për privatizimin e OSSH te CEZ-i.

“Unë i qëndroj akuzës së bërë, se qytetarët shqiptarë kanë humbur 419 mln euro nga privatizimi i OSSHE te CEZ. I bëj thirrje Prokurorisë së Tiranës, që mos përdorë makinacione për ta pushuar çështjen në ngarkim të Sali Berishës, Ndue Kalajt, Shkëlzen Berishës. Prokuroria të vijojë hetimet, dhe me shpresën e gjithë shqiptarëve që SPAK ngrihet së shpejti le të jetë kjo një prej dosjeve që ti vihet në dispozicion SPAK”, tha Balla.

Një prononcim më tej pati edhe djali i ish-kryeministrit Berisha. Shkëlzen Berisha u shpreh se Balla nuk ka asnjë provë për akuzat, ndërsa shtoi se Prokuroria është nën presionin politik të shumicës.

“Nuk dha asnjë provë të vetme për të vërtetuar shpifjen për evazion fiskal. U përpoq për të rikthyer vëmendjen te komisioni parlamentar që udhëhiqte. Në atë periudhë më akuzonte për udhëtime, apo persona që kisha lidhje. Por në atë kohë ai udhëtonte me një trafikant droge nëpër destinacione turistike në Europë, Edmond Bego.

Ky jo vetëm ka marrë pjesë në mënyrë të jashtëligjshme në tendera, por ka fituar edhe 16 mln euro. I dyshuari për sponsorizim për këto udhëtime ka fituar 16 mln euro nga entet shtetërore, duke mos pasur të drejtë që të marrë pjesë në tendera.

I akuzuari duhet të shpjegojë si ka mundësi që paratë e shqiptarëve i jepen këtij personi. Prokuroria është në presionin politik të shumicës, dhe pse nuk paguan detyrimin për shpifjen. Beteja vijon, shpresoj në vendosjen e të drejtës në vend dhe dënimin e z. Balla”, tha Berisha.

 

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT