Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla shprehu keqardhjen që në seancën e sotme mazhoranca nuk pati mundësi të votonte Gent Cakaj si Ministër të Jashtëm.
Jashtë sallës së Kuvendit, Balla tha se gjithçka erdhi për shkak të një kapriçoje presidenciale.
Ne na vjen keq që Presidenti i Republikës sot nuk na bëri të mundur të votojmë edhe dekretin për Ministër të Jashtëm. Dekret që duhet të kishte qenë që javën e kaluar po ti referohemi propozimit tonë për zotin Gent Cakaj, i cili meriton besimin tonë. Sapo Gjykata Kushtetuese të zgjidhë këtë ngërç të krijuar nga Presidenti i Republikës do të kemi mundësinë që zotin Cakaj ta kemi në kabinetin e qeverisë sonë. Deri atëherë Kryeministri ka treguar gadishmërinë për të kontribuar në zgjidhjen e këtij ngërçi të krijuar artificialisht nga Presidenti i Repoublikës dhe ka propozuar që ai të jetë Ministër i Jashtëm deri kur Gjykata ti japë fund kësaj kapriçoje presidenciale.
I pyetur nga gazetarët nëse PS nuk ka figura të tjera për këtë post saqë detyroi Ramën të marrë dhe këtë përgjegjësi, Balla pati këtë përgjigje:
PS i ka dhënë besimin Kryeministrit të bëjë detyrën e Kryeministrit dhe sigurisht në kushtet e një krize të krijuar nga Presidenti me shkelje kushtetuese është një zgjedhje. Kjo nuk është një zgjedhje që ndodh vetëm në Shqipëri. Edhe Metës i është besuar dhe detyra e zëvendëskryeministrit, edhe detyra njëherë e Ministrit të Jashtëm dhe njëherë të Ministrit të Ekonomisë.Praktika ekziston. Çdo vonesë nuk i bën mirë po të kemi parasysh axhendën intensive që ka ky 6 mujor deri në 30 qershor kur janë zgjedhjet lokale. Por ky vit, ajo që është më e rëndësishme për ne është se fundi i qershorit përkon dhe hapjen e negociatave me BE.
Deputeti socialist shprehu edhe njëherë keqardhjen për opozitën, që sipas tij nuk di të shfrytëzojë mekanizmat e Kuvendit.
Mandatet e Ministrave nuk janë çështje të kartave të anëtarësisë në parti politike por përgjegjësi për tu shërbyer njerëzve më mirë dhe për të çuar para këtë mandat. Më vjen keq që opozita nuk di aspak të shfrytëzojë mekanizmat qofshin të debatit parlamentar dhe kontrollit parlamentar. Praktika parlamentare kështu ka qenë. Bëhet fjalë për emërime dhe shkarkime Ministrash. Debat për programin ka sa herë që qeveria merr mandatin para zgjedhjeve.