Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla, tha me tone ironike se të dëgjohet Berisha kur flet për korrupsionin, është sikur të dëgjosh djallin të flasë për Biblën. Nga Kuvendi, Balla i dërgoi një thirrje PD-së që të mos e shndërrojë partinë në bunkerin e fundit komunist në Shqipëri. Ai tha se është për të ardhur keq se si personi që është shpallur “non grata” nga SHBA-ja për korrupsion, të vijë të bëjë moral për anti-korrupsion.
“Të dëgjosh Sali Berishën të flasë për korrupsionin, është si të dëgjosh djallin të flasi për Biblën. Është si djalli të të flasë për besimin të dëgjosh Berishën që të flasë për anti-korrupsionin.
Thirrja ime për PD-në është që të mos e shndërrojnë PD-në në bunkierin e fundit komunist në Shqipëri. Berisha është mbetja e fundit e komunizimit në Shqipëri.
Duroni për të vërtetat e mëdha që ndodhin. Përsëri po jua them, Sali Berisha e ka mbyllur me Shqipërinë dhe me shqiptarët, dhe koha do e tregojë se sa të drejtë kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në sajtin e Departamentit Amerikan do të shikoni se me kë është Berisha përbri. Homologu i tij është Dodik, ti Tritan e kupton mirë kur i krahasoj këto dy persona në listën e non gratave”, tha Balla.