Bota

Babë e bijë vdesin të përqafuar, fotoja që po bën xhiron e botës

               Publikuar në : 16:19 - 26/06/19 Enno

Realiteti i zymtë i krizës së migracionit që shpaloset në kufirin jugor të Amerikës, është kapur në fotografitë që tregojnë trupat e pajetë të një babai nga Salvadori, dhe vajzës së tij që u mbytën teksa u përpoqën të kalonin lumin Rio Grande, për në Teksas.

Babë e bijë kanë ndërruar jetë gjatë tentativës për të kaluar lumin Rio Grande, që ndan kufirin meksikan me atë amerikan.

Sipas mediave të huaja, viktima Oscar Alberto Martinez Ramirez 26 vjeç, më herët kishte aplikuar për azil dhe nuk i ishte dhënë. I zhgënjyer nga ky fakt, Ramirez provoi të kalonte kufirin në mënyrë ilegale. Ditën e dielë ai vendosi të notonte përgjatë lumit me vajzën e tij.

Mësohet se Ramirez kishte arritur ta kalonte vajzën e tij 23 muajshe, në anën tjetër të lumit dhe më pas ishte kthyer të merrte edhe gruan, që priste nga ana tjetër. Mirëpo, vajza e vogël si duket është trembur dhe ka vrapuar në ujë pas babait të saj, duke e bërë kështu të atin të kthehej ta shpëtonte, por rryma e fortë i ka marrë të dy përpara.

Trupat e tyre u zbuluan pranë Matamoros, Meksikë, anash nga Brownsville, Texas, disa qindra metra nga ku ata kishin provuar të kalonin, vetëm gjysmë milje larg nga një urë ndërkombëtare.

E ëma e viktimës, Rosa Ramirez u shpreh për mediat meksikane se djali, nusja dhe mbesa u larguan nga El Salvador më 3 prill, duke kaluar dy muaj në një strehë në Tapachula, pranë kufirit me Meksikën me Guatemalën. Ajo tha se i ishte lutur të mos largohej, por djali kishte vendosur të fitonte para për të ndërtuar shtëpi.

Në fotot e bëra virale në rrjet, duken 26-vjeçari Oscar Alberto Martinez Ramirez dhe vajza e tij Valeria, të shtrirë me fytyrë poshtë në ujë të cekët. Krahu i foshnjës 23-muajshe shihet rreth qafës së babait të saj, duke treguar se ajo ishte ngjitur me të në momentet e fundit.

“Ata donin ëndrrën amerikane. Ai e kaloi lumin së pari me vajzën dhe e la atë në anën amerikane. Pastaj u kthye për të marrë gruan e tij, por vajza hyri në ujë pas tij. Kur ai shkoi për ta shpëtuar atë, valët i morën të dy”, u shpreh gazetari që bëri fotot.

Gazetat meksikane e krahasuan fotografinë me imazhin e vitit 2015, të djalit 3 vjeçar sirian Alan Kurdi, i cili u mbyt në ishullin grek i Kos.

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT