Auto & Moto

B-2 Spirit: Avioni amerikan 2 miliardë $, i pagjurmueshëm nga radarët


               Publikuar në : 10:16 - 24/01/20 M S

Me modelin e tij unik të krahëve, që e bën thuajse të padukshëm për radarët, avioni bombardues amerikan B-2 Spirit, është në fakt më i miri në mesin e gjithë avionëve ushtarakë. Por ai është gjithashtu edhe më i shtrenjti në botë: 2 miliardë dollarë.

Ndërsa ishte në fillim një produkt i Luftës së Ftohtë, B-2 Spirit u krijua për të depërtuar në sistemin sovjetik të mbrojtjes ajrore. Ai kishte në bord armë konvencionale, por edhe ato bërthamore. Por menjëherë pas fluturimit të tij të parë, mbi 30 vjet më parë në vitin 1989, rënia e Murit të Berlinit i dha fund edhe Luftës së Ftohtë.

Kësisoj, asnjë B-2 Spirit nuk ka fluturuar ndonjëherë brenda hapësirës ajrore ruse. Gjithsesi, ai është përdorur në misione të tjera. Avioni i parë i këtij lloji, u dërgua në vitin 1993 në bazën e Forcave Ajrore Uajtman në Misuri, ndërsa u përdor për herë të parë gjatë Luftës së Kosovës në vitin 1999.

Një nga mjetet luftarake më të sofistikuara në botë, B-2 Spirit mund të godasë çdo lloj objektivi kudo në botë, dhe të rikthehet në bazë. Asnjë B-2 nuk ka humbur ndonjëherë në luftime.

“Ai është në fakt një lloj avioni krejtësisht ndryshe nga çdo lloj avioni tjetër i projektuar ndonjëherë”, thotë Rebeka Grant, eksperte e hapësirës ajrore, që ka fluturuar vetë me avionin e famshëm.

“Gjithçka dallon nga kabina, dhe krahët që janë shumë të veçantë”, thotë ajo. Ideja për të projektuar një avion si një krah fluture, është e hershme në historinë e aviacionit. Ajo u dikutua që para Luftës së Parë Botërore në Gjermani dhe Bashkimin Sovjetik.

Në Shtetet e Bashkuara, ajo u përpunua nga projektuesi i njohur i avionëve Xhek Nortrop, prototipet e parë të të cilëve, fluturuan që në vitet 1940. Puna e Nortrop, arriti kulmin me avionin YB-49 i vitit 1947. Shumë në pararojë me kohën, projekti u pengua jo pak nga vështirësitë teknike, dhe kësisoj shpejt u braktis.

Sidoqoftë, puna mbi avionin YB-49, u përdor si bazë për programin e avionit B-2. Kompania që e zbatoi u themelua nga vetë Nortrop. Dhe ndonëse avionët janë me dekada larg njëri-tjetrit, ata kanë një ngjashmëri të habitshme. Avioni bombardues B-52, prezantoi për herë të parë idenë e fluturimit në lartësi shumë të mëdha, për ta bërë më të vështirë mbërritjen nga raketat anti-ajrore.

Ndërsa B-1 provonte të kundërtën: fluturonte ulët dhe aq shpejt, sa radarët e kishin të vështirë ta gjurmonin. Asnjëra nga strategjitë nuk ishte e përsosur, dhe as imune ndaj zjarrit të armikut. Ndërsa tensionet e Luftës së Ftohtë, impononin gjetjen e parandaluesit përfundimtar bërthamor: një avion bombardues të aftë të mbante në bord armë atomike, teksa të ishte praktikisht i padukshëm nga mbrojtjet ajrore të armikut.

Kjo ëndërr u bë realitet në vitet 1970, me futjen e një morie teknologjish, që e bënë një avion të vështirë ose të pamundur për t’u gjurmuar nga radarët. “Ishte një produkt i Luftës së Ftohtë, por ndërkohë produkt i një përparimi të madh teknologjik në projektimin e një avioni”, thotë Grant.

“Misioni i avionit B-2, ishte të shmangte mbrojtjen ajrore ruse, si raketat e tyre, ashtu edhe avionët e tyre luftarakë të lartësive të mëdha. Dhe ky është ende misioni i tij sot: të shmangë sistemet më të mira të mbrojtjes ajrore që ka armiku, kudo që t’i ndeshë ato”, thekson ekspertja.

Dhe për ta arritur, avioni ka një sërë tiparesh, shumë prej tyre sekrete. “E para është forma e tij e veçantë, që ndryshon reflektimin e radarit”, shprehet Grant. Radari – një akronim i termit anglisht “radio detection and ranging” (gjurmim në radio dhe kapje e avionit armik), u shpik gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe funksionon duke dërguar një impuls energjie përmes ajrit, duke pritur që ai të përplaset mbi objektet sikurse janë avionët, dhe pastaj të kthehet pas.

Intensiteti dhe këndi i këtij reflektimi, jep madhësinë dhe vendndodhjen e objektivit. Në dallim nga avionët e tjerë, modeli i krahut të këtij avioni B-2, nuk ka ndonjë formë të madhe vertikale siç është bishti, ku mund të përplasen valët e radarit.

Në fakt, sipërfaqja e tij e lëmuar është krijuar enkas për të shpërndarë plotësisht valët e radarit, në mënyrë që thuajse asnjë prej tyre të mos rikthehet në burim. Kjo e bën avionin të duket i vogël sa një zog. Ironikisht, parimet e përdorura për ndërtimin e këtij avioni, u prazantuan për herë të parë nga fizikant rus Pjotr Ufimcev në vitin 1962. Por Bashkimi Sovjetik i konsideroi pa ndonjë vlerë për sigurinë kombëtare.

“Avioni ka veshje dhe materiale që e mashtrojnë radarin. Dhe ju nuk mund të shihni dot motorët e tij, pasi ato janë vendosur në pjesën e pasme, për të shmangur lënien e ndonjë gjurme për shkak të nxehtësisë”- shpjegon Grant. Një sistem në bord, e paralajmëron ekuipazhin nëse aeroplani ka probleme, duke e lejuar të ndryshojë lartësi. Për më tepër avioni B-2 Spirit është shumë i qetë, dhe mund të dëgjohet vetëm kur kalon shumë pranë.

Këto karakteristika, nuk funksionojnë gjithnjë, por aktivizohen vetëm kur avioni duhet të bëhet i padukshëm. Misionet B-2 mund të zgjasin edhe 44 orë resht, sikur ka ndodhur në vitin 2001, me fluturimin nga Misuri në Afganistan, gjatë operacionit “Enduring Freedom”.

Për këtë arsye, avioni ka një hapësirë ​​të sheshtë pas kabinës, ku njëri nga dy pilotët mund të shtrihet të pushojë, bashkë me lehtësirat për ruajtjen dhe ngrohjen e ushqimit, si dhe një tualet.

Ndërsa asnjë B-2 nuk ka humbur kurrë në luftime, një i tillë u shkatërrua në një aksident në vitin 2008, kur u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga baza e Forcave Ajrore Andersen në Guam (pilotët arritën të shpëtonin).

Një tjetër avion B-2 Spirit, u dëmtua rëndë nga një zjarr në vitin 2010. Këta lloj avionësh u nënshtrohen më shumë procedurave të mirëmbajtjes, dhe për çdo orë fluturimi nevojiten dhjetëra orë shërbime. Veshja delikate e aeroplanit, duhet të ruhet në temperatura të ftohta, dhe kjo gjë shton kostot.

Për shkak të flotës së vogël dhe teknologjive të tij sekrete, B-2 është një avion që është pilotuar nga vetëm nga disa qindra pilotë. Me kalimin e viteve, aeroplani i është nënshtruar përditësimeve në sistemet e tij të fluturimit, komunikimit dhe armëve. Por ai i ka ditët e numëruara: pasardhësi i B-2 është tashmë në zhvillim. Avioni i ri B-21 Raider, pritet të ngrihet në fluturim në vitin 2025.

TIRANA TODAY

 


Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT