Familjarët e 8-vjeçarit të vrarë nga fqinji i tij, kërkojnë sërish me forcë të hapin derën e jashtme të gjykatës, për të hyrë në sallën e gjyqit. Prej më shumë se një orë, situata jashtë ambienteve të gjykatës së Fierit është e tensionuar. Shefi i Komisariatit u ka deklaruar familjarëve dhe të afërmeve se nuk ka mbërritur ende autori. Ata janë përplasur sërish me uniformat e policisë, që nuk i kanë lejuar të hyjnë brenda.
Një nga punonjësit e policisë ka shoqëruar nënën e vogëlushit, për t’i konfirmuar asaj që Klodian Çalamani nuk ndodhej në makinën e policisë, që po dilte nga ambientet e gjykatës. Pas thyerjes së derës së gjykatës, numri i forcave të policisë është shtuar, ku dhe kanë krijuar një barrikadë.
Avokati i caktuar kryesisht nga shteti, për të përfaqësuar në gjykatën e Fierit 38-vjeçarin Klodian Çalamani, është tërhequr nga mbrojtja dhe autori i ngjarjes së rëndë do jetë i vetëm përpara togave të zeza.
Mësohet se avokati i caktuar nga shteti, nuk ka pranuar të mbrojë autorin e një ngjarje të tillë makabre, që ka shokuar mbarë opinionin publik.