Një ngjarje e frikshme e ndodhur paraditen e sotme ka tronditur opinionin sportiv, dhe jo vetëm. Avioni me të cili po udhëtonte sulmuesin argjentinas Emiliano Sala, nga Franca për në Cardiff, për të firmosur me ekipin e qytetit është zhdukur pa lënë gjurmë.
Mediat britanike raportojnë se nuk ka ende asnjë informacion se çfarë ka ndodhur, ndërkohë që paniku sa vjen dhe shtohet. Në Francë e bëjnë të sigurt që Sala ka qenë në avion. Policia, por edhe ish-klubi i tij Nanta, e konfirmojnë diçka të tillë.
Ndërkohë në një prononcim për “Radio Continental”, babai i sulmuesit, i tronditur nga zhdukja e aeroplanit, u shpreh: “Unë nuk di asgjë, unë jam në Argjentinë. Fola të dielën me Emilianon”.
Tepër i shqetësuar duket dhe presidenti i klubit të Cardiff, Mehmet Dalman: “Jemi shumë të shqetësuar për Emiliano Salën. Presim konfirmimin se çfarë ka ndodhur”, u shpreh ai.