Editorial - Opinione

Autokracia, një sëmundje globale që mund të prekë edhe SHBA-në

               Publikuar në : 10:16 - 12/06/19 S.N

Nga Ece Temelkuran, “The Washington Post”

“Jo, këtu s’mund të ndodhë!”. Kështu u shprehën shumë amerikanë 3 vjet më parë, kur Donald Trump u zgjodh me bujë president i SHBA-së. U përpoqa t’u shpjegoj miqve të mi amerikanë, se ajo që na ndodhi në Turqi, ishte më e mundur në vendin e tyre.

Mjetet konvencionale politike, u thashë atyre, nuk do të ishin të mjaftueshme për ta ndaluar këtë lloj çmendurie të re politike. Dhe ja ku jemi. Tani edhe analistët më të respektuar, po marrin në konsideratë një mundësi që dikur e kishin hedhur poshtë: “Po sikur Trump të mos dalë nga Shtëpia e Bardhë, edhe nëse humbet zgjedhjet?”.

Epo, ndoshta tani është koha të kuptojmë se po jetojmë në kohën e të pamundurave, dhe se jemi të gjithë bashkë në këtë valle. Në zgjedhjet lokale që u mbajtën në Turqi në muajin  mars, opozita fitoi në disa qytete të mëdha, pavarësisht regjimit famëkeq shtypës të presidentit Rexhep Tajip Erdogan. (Për të pasur një ide se çfarë ka përjetuar Turqia, shumëzoni me 100 aftësitë politike të Trump, dhe pastaj imagjinojeni atë në pushtet për gati 17 vjet).

Këto vite të dhimbshme, nisën me lëvizjen e njerëzve të vërtetë, që krijuan një polarizim automatik, duke përjashtuar ata që nuk e mbështetën lëvizjen, dhe i etiketuar ata si elita e korruptuar. Teksa debati politik u bë gjithnjë e më shumë kaotik, Erdogan dhe rrethi i tij, u bënë aktorët politikë të respektuar, duke qenë gjithnjë e më të efektshëm në përdorimin e pushtetit të tyre politik.

Ajo që erdhi më pas, ishte një operacion masiv për të prishur racionalitetin. Turqve iu desh disa kohë që të kuptonin, se është e pamundur të bisedosh me populistët. Jo për shkak se ata kanë aftësi të shkëlqyera debatuese, por sepse përdorin një logjikë skizofrenike, që e paralizon arsyen njerëzore.

Ndërsa po ndodhte kjo, ne po përsosnim aftësitë tona mbi humorin politik, për të qetësuar ankthet tona duke u tallur me udhëheqësin, ashtu siç bëjnë amerikanët gjatë dy viteve e gjysmë

të fundit. Ndërkohë, zemërimi dhe frika e shkaktuar nga deklaratat absurde të udhëheqësit, pushtuan jo vetëm sferën politike, por edhe marrëdhëniet tona më intime.

Ishte ai momenti kur filloi faza më e çmendur: Miqtë e udhëheqësit filluan të shumëzohen, dhe të na përndjekin në jetën tonë të përditshme. Imagjinoni Trumpë të vegjël që përhapen në vendin tuaj të punës, duke thënë gjëra të tilla si: “Unë nuk besoj në ndryshimin e klimës” ose “Bota është e sheshtë”, dhe pastaj e sheh veten duke u përpjekur të shpjegosh se përse ka rëndësi shkenca, pa u përçmuar nga njerëzit e vërtetë.

Gjatë këtyre 17 viteve, të gjithë mekanizmat e vjetër politikë dhe gjyqësorë, u shkatërruan vazhdimisht nga një qeveri dhe një makineri partiake e pamëshirshme, që e la popullin turk të luftojë për të ruajtur atë që ka mbetur nga demokracia e tyre. I gjithë kombi, nisi të studionte ligjin tonë zgjedhor jashtëzakonisht të ndërlikuar.

Sot ju mund të pyesni ndonjë anëtar të opozitës në Turqi, madje edhe më pak të arsimuarit, dhe ai do të jetë në gjendje të recitojë përmendësh nenet e ligjit elektoral. Humbja e demokracisë, na ka kujtuar të gjithëve se sa gjak, djersë dhe lot duhen për ta rindërtuar atë.

Tani e dimë se asnjë institucion abstrakt, asnjë hetim ligjor dhe sigurisht asnjë apel për të pasur turp, nuk mund të rrëzojë dot populizmin e djathtë, kur ai e ka marrë pushtetin. Tani duhet të jetë e qartë se diçka, që ajo që konsiderohej e pamundur në Shtetet e Bashkuara, apo në Turqi 17 vjet më pare, po ndodh tani, dhe po ndodh në të njëjtën mënyrë.

Është koha ta pranojmë se ky është një fenomen global politik dhe moral, që duhet përballur në nivel global. Nëse Stiv Benon, është mjaftueshëm i zgjuar sa për të organizuar udhëheqësit populistë të krahut të djathtë në Evropë, dhe nëse këta udhëheqës janë të suksesshëm në zgjedhje, atëherë njerëzit e tjerë nëpër botë duhet të bisedojnë me njëri tjetrin, të ndërtojnë një forum global debatesh, dhe një rrjet solidariteti.

Nuk ka më kohë për arrogancën kombëtare – të llojit që ka shkaktuar për 3 vite një Brexit të çmendur në Britani, apo që nxiti studentët në Holandë të spiunonin në një linjë hotline të partisë populiste, mësuesit e tyre për pikëpamjet e tyre të majta.

Dhe as nuk kemi luksin të ndihemi të tmerruar, të tronditur, apo të mpihemi nga zemërimi. Ne duhet të shohim përtej marrëzisë së zhurmshme të populizmit, dhe të kuptojmë se si funksionon kjo sëmundje politike – me modele të ngjashme në çdo vend, pavarësisht pjekurisë së demokracisë, fuqisë së institucioneve shtetërore, apo rezistencës së partive politike tradicionale.

Kjo është kriza më e madhe globale e demokracisë përfaqësuese, në kujtesën e dekadave të fundit, dhe populizmi i krahut të djathtë, do të shfrytëzojë boshllëkun aktual, derisa pushteti që e kundërshton, të bëhet mjaftueshëm i fortë për t’i rezistuar.

Shënim: Ece Temelkuran, është gazetare dhe shkrimtare turke. Libri i saj i fundit titullohet “Si humbet një vend: Shtatë hapa nga demokracia në diktaturë”./ Përktheu për Tirana Today, Alket Goce

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT