Shkodra është tronditur nga një tjetër atentat. Të shtënat e kallashnikovit i kanë marrë jetën shtetasit Emiljano Ndou 25 vjeç, në fshatin Bardhaj të Shkodrës. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, policia ka vënë në pranga brenda pak minutave autorin, Mark Kodra, 47-vjeç. Ngjarja ka ndodhur pranë një kalçetoje, ndërsa arma e krimit është sekuestruar nga uniformat blu në cilësinë e provës materiale.
Njoftimi i policisë
Shkodër
Vrau me armë zjarri për motive të dobta 25 vjeçarin, Policia vë në pranga autorin. Sekuestrohet arma e zjarrit kallashnikov me të cilën dyshohet se autori kreu krimin. Në fshatin Bardhaj, në afërsi të një kalçetoje, dyshohet se një konflikti për motive të dobta shtetasi M.K, 47 vjec, banues ne fshatin Bleran Bardhaj, ka vrarë me armë zjarri shtetasin E.N, 25 vjeç, banues ne Bleran Bardhaj. Falë reagimit në kohë dhe veprimeve të shpejta e profesionale të kryera nga Policia, u bë e mundur identifikimi dhe kapja brenda pak minutash e autorit të dyshuar të vrasjes. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon pēr sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.
Çfarë deklaroi autori
Autori i dyshuar Mark Kodra ka qëlluar viktimën me kallashnikov, pasi pretendon se 25-vjeçari kishte kohë që e mundonte duke i sjellë probleme.
“Nuk e durova më. Ma kishte sjellë te hunda”, ka deklaruar autori në momentin e arrestimit nga policia e Shkodrës. Autori ka deklaruar se viktima para se ta vriste, i ka kaluar me një motor përpara shtëpisë duke bërë shumë zhurmë.
47-vjeçari ka treguar se në atë moment ka marrë armën automatik kallashnikov, dhe ka dalë nga banesa si dhe ka qëlluar në drejtim të Emiljano Ndout, duke e lënë të vdekur në vend. Sipas burimeve, dyshohet se më përpara viktima ka ngacmuar vajzat e shtetasit Mark Kodra, dhe se palët edhe më herët kanë debatuar për këtë çështje.
“Kishte menduar se nuk kishte vdekur”, autori ishte futur sërish në shtëpi
Familjarët e autorit të dyshuar deklaruan se 47-vjeçari ka menduar se 25-vjeçari nuk ka vdekur, ndaj është futur serish në banesë. Sipas burimeve, autori ka qëndruar në shtëpi pas vrasjes dhe pranë vetes afër divanit mbante edhe armën me të cilin kreu krimin dhe nuk ka tentuar të fshihet. Në momentin kur ka mbërritur policia, autori nuk ka pranuar vrasjen e kryer dhe është shfaqur i qetë.