E mërkurë, 16 Qershor, 2021
20.5 C
Tirana

Atentatet mafioze në Vlorë, “të fortët” që u eleminuan brenda katër muajve

Nga: MARSELA SINANI

Vlora rrezikon të shpallet “qytet i pasigurtë”. Kush ka parë videot e ekzekutimit në TV-të shqiptare apo ka lexuar për vrasjet dhe plagosjet e muajve të fundit në Vlorë, do mendohet dy herë përpara se të udhëtojë drejt këtij qyteti.

Ngjarja më e fundit ndodhi pesë minuta para mesnatës së të mërkurës, në derë të shtëpisë së tij, në katin e pestë. Autorët gjakftohtë e ndoqën deri në pragun e shtëpisë, duke mos i lënë mundësi 35-vjeçarit Shkëlzen Velaj që të largohej. Ndonëse thirrjet e tij kanë qenë të vazhdueshme që e ëma të hapte derën, e moshuara ka qënë në gjumë, duke e lënë Velajn në duart e vrasësve.

Gjithçka që ka ndodhur i ngjan një skene të mirëmenduar, si në pjesën më të madhe të vrasjeve në këtë qytet. Ngjarja e mesnatës së të mërkurës rëndon edhe më shumë në familjen Velaj, që nga një vrasje tjetër në këtë qytet gjashtë vite më parë, ka humbur djalin tjetër, Ardi Velajn.

Me vrasjen e një nate më parë, duket se Vlora është “zyrtarisht” në një vatër të larjes së hesapeve. Provat e vrasjeve tregojnë se forcat e rendit kanë qenë gjithnjë hapa pas për të parandaluar ngjarje të tilla. Por si vijoi ky kalvar eleminimesh brenda katër muajsh, duke e kthyer Vlorën në një qytet ku larja e hesapeve jep idenë e një qyteti me kauboj, që e ndërtojnë vetë ligjin?

Në 6 shkurt u ekzekutua Gentjan Qarri, i skeduar për “trafik droge”

40-vjeçari Gentjan Qarri është qëlluar me plumba në kraharor. Fillimisht është dërguar në gjendje të rëndë në Spitalin e Vlorës, por ka ndërruar jetë pak çaste më vonë. Qarri është qëlluar për vdekje nga një makinë në Vlorë.

Mendohet se kanë qenë dy atentatorë. Atentatorët kanë qenë me kapele dhe me maskë të Covid. Autorët kanë djegur makinën tek Hidrovori, që është zonë e pandriçuar. Qarri ka qenë i dënuar më parë për “trafik droge”. Ai u qëllua sapo doli nga shtëpia dhe ndërroi jetë pavarësisht se u dërgua në spital. Pista kryesore ku po hetohet është e shkuara e tij, pasi Qarri kishte qenë dënuar më parë në Itali me 15 vite burg për drogë.

Në 3 mars u ekzekutua me breshëri kallashnikovi Taulant Beqiraj

Taulant Beqiraj, 31-vjeçari që u ekzekutua në Vlorë përdorte tre mbiemra. Ai njihej si Taulant Beqiraj, Taulant Manaj dhe Taulant Gjikaj. Viktima Beqiraj ishte arrestuar për “vrasje me paramendim, të mbetur në tentativë”, “armëmbajtje pa leje” dhe thyerje të masës së sigurisë “arrest shtëpie”, por u shpëtoi hekurave në mënyrë të pakuptueshme.

31-vjeçari u lirua dy herë në vitin 2018, me një vendim të marrë nga gjyqtarja e Vlorës, Herila Çela, e cila u vuri ‘vulën’ akuzave që rëndonin mbi Beqirajn. 31-vjeçari ra pre e një atentati, si pasojë e të shkuarës së tij kriminale.

Ai u ekzekutua me breshëri kallashnikovi teksa ecte në këmbë në mes të Vlorës. Autori Hansi (Andi) Jonuzi u vu në pranga pas ngjarjes së rëndë, teksa largohej në drejtim të pyllit të Sodës. Hansi (Andi) Jonuzi, biznesmeni 44-vjeçar i arrestuar për vrasjen e Taulant Beqirajt ka mohuar të ketë gisht në ngjarjen e rëndë kriminale.

“S’e kam bërë unë, nuk e kam vrarë unë, nuk kam gisht”, mësohet të ketë thënë Jonuzaj para grupit hetimor. Jonuzaj, një biznesmen i njohur në Vlorë u arrestua pak momente pas vrasjes së 31-vjeçarit, teksa përpiqej të arrastisej drejt pyllit të Sodës.

Ai po udhëtonte me një makinë ngjyrë gri të llojit “Ford”, brenda të cilës u gjet edhe kallashnikovi me të cilin u ekzekutua Beqiraj.

Sherri mes Beqirajt dhe të dyshuarve kryesorë të ngjarjes, Skërdian Gabrani, Elton Hajnaj dhe e Hans Jonuzaj, ka nisur për një borxh. Ditën e vrasjes, Beqiraj është hasur me të rinjtë brenda një lokali në qytet, dhe këta të fundit i kanë përmendur borxhin që u kishte marrë, por pa sqaruar shumën e vlerës monetare që bëhej fjalë.

Dëshmitarët kanë treguar se Taulant Beqiraj fillimisht ka debatuar me autorët dhe u ka bërë me dije se paratë nuk do t’ua kthente, duke vijuar me fyerjet dhe ofendimet në distancë. Në debat e sipër, ai u ka treguar se në brez ka pasur dhe një armë zjarri.

Fill pas këtij momenti, Beqiraj është larguar me një makinë me xhama të zinj bashkë me dy persona të tjerë, ende të paidenfitikuar, dhe janë larguar në drejtim të rrugës Transballkanike. Nga pas është ndjekur nga tre personat me të cilët debatoi brenda lokalit. Në momentin që Beqiraj ka dalë nga makina dhe ka ecur disa metra, është qëlluar për vdekje. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën Transbalkanike, përballë Gjykatës së Apelit Vlorë. Viktima u qëllua vetëm nga një person dhe qëndroi më shumë se 5 minuta i shtrirë në rrugë për t’u marrë më pas nga ambulanca. Ai ndërroi jetë rrugës për spital, pasi nuk u mbijetoi dot plagëve të marra.

Në datën 22 maj, Gjykata e Vlorës caktoi masën “arrest me burg” për 36-vjeçarin Skerdian Gabrani, i cili akuzohet se është bashkëpunëtor për vrasjen e Taulant Beqirajt.

Skerdian Gabrani u vetëdorëzua në Policinë e Vlorës. Ai qëndroi i fshehur në qytetin e Vlorës, dhe vendosi të vetëdorëzohej në polici, për të sqaruar rolin e tij në këtë ngjarje kriminale. Për ngjarjen është lënë në burg edhe Hans Andi Jonuzi, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e Taulant Beqirajt në Vlorë. Ai ka pasur rolin e shoferit që ndihmoi dy autorët e dyshuar të largoheshin.

Në 10 maj u ekzekutua biznesmeni Bledar Birçaj, i skeduar në të shkuarën

Bledar Birçaj, 40 vjeç, u vra tek vendi i njohur si “Bishti i Kalldrëmit” në qytetin e Vlorës. Ai ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij tip BMW x5, kur rruga i është prerë nga një tjetër automjet që ishte në ecje.

Më shumë se 15 të shtëna janë lëshuar në drejtim të biznesmenit 40-vjeçar, i cili ka marrë 7 plumba. Ai u dërgua me urgjencë në spital, por për fat të keq nuk ka mundur të shpëtojë.

Pas ngjarjes, Policia e Shtetit ka ngritur një sërë pikash kontrolli në hyrje dhe dalje të Vlorës, për të identifikuar dhe kapur autorët të cilët dyshohet se janë larguar në drejtim të Kaninës. 40-vjeçari rezulton se është pronari i një sërë bizneseve në qytetin e Vlorës, përfshirë një lokal bar-kafe në zonën e Lungomares, me emrin “The Boss”. E shkuara e Birçajt rezulton se është problematike.

Lexo edhe :   Forcat RENEA ''zbarkojnë'' në Vlorë, arrestohen disa persona

I ndjeri ka qenë i arrestuar në vitin 2011, pasi ishte i dyshuar për një vrasje. Birçaj, asokohe rreth 30 vjeç, ia doli të mbyllte problemet me drejtësinë disa muaj pasi u la në masën e sigurisë “arrest me burg”.

Dyshimet kryesore janë se ka qenë i akuzuar për “vrasje” dhe më pas çështja është mbyllur në muajin korrik 2011. Po ashtu, ai ka kërkuar edhe dëmshpërblim nga gjykata e Lartë ndaj shtetit për burg të padrejtë. Sipas vendimit, paditësi Bledar Birçaj është arrestuar, pasi dyshohej për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë; “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”; si dhe “Shkatërrim prone”, parashikuar nga nenet 78-22-25; 278/2 dhe 150 të Kodit Penal. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin nr.23 datë 27.01.2011, ka vlerësuar si të ligjshëm ndalimin e shtetasit Bledar Birçaj, të kryer më datë 24.01.2011 dhe ndaj tij është vendosur si masë sigurimi personal ajo e “arrestit në burg” me afat 45 ditë. Gjithashtu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin nr.90 datë 09.03.2011, ka caktuar si masë sigurimi “arrestit në burg” pa afat.

Lexo edhe :   Forcat RENEA ''zbarkojnë'' në Vlorë, arrestohen disa persona

Por më pas, mbi kërkesën e paditësit Bledar Birçaj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr.220 datë 26.04.2011, ka vendosur zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në burg” me masën e sigurimit “detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” dhe masën detyruese “ndalim të daljes jashtë shtetit” deri në përfundim të hetimeve. Në përfundim, me vendimin datë 25.07.2011 të Prokurorisë së Vlorës, u vendos pushimi i çështjes. Ai u vra në një atentat tipik mafioz, në mes të qytetit të Vlorës.

Në 21 maj u ekzekutua biznesmeni Delon Troqe

Delon Troqe, 38 vjeç nga Vlora, u ekzekutua para derës së biznesit të tij mbrëmjen e 21 majit, ndërkohë që me të ndodheshin edhe familjarët. Ndaj 38-vjeçarit, i cili sapo ishte kthyer nga Spanja u qëllua mbi 15 herë me breshëri kallashnikovi nga dy persona, ndërsa një plumb që e ka prekur në kokë dyshohet të ketë qenë fatal për të.

Troqe ishte pronar i një servisi makinash në lagjen “Pavarësia”, ndërsa më herët para se të hapte servisin e tij, 38-vjeçari punonte me turistë me gomone duke i dërguar në Karaburun ose ishullin e Sazanit.

Si u vra?

Një makinë kalon me shpejtësi para servisit të tij, dhe dikush qëllon me breshëri plumbash, duke e lënë të vdekur. Më pas autorët u larguan me makinën tip “Audi” me targa të vjedhura në drejtim të lagjes “10 korriku” dhe më pas drejt zonës së Sherishtës së Vlorës, ku dhe dogjën mjetin. Makina u dogj plotësisht ndërsa brenda tij u gjetën edhe 2 armë tip kallashnikov. Ngjarja është ende e pazabardhur.

Në 26 maj plagoset Ergys Likaj

Policia e Vlorës ka arrestuar 39-vjeçarin Ergys Likaj, që mbeti i plagosur me armë zjarri në të dyja këmbët në qytetin bregdetar. 39-vjeçari akuzohet për “moskallëzim krimi”. Bashkë me të është arrestuar edhe një 46-vjeçar me inicialet K.Xh., ndaj të cilit rëndojnë akuzat e “moskallëzimit të krimit” dhe “deklaratë të rremë” përpara oficerit të policisë gjyqësore.

39-vjeçari u paraqit i plagosur në Spitalin e Vlorës me plagë në të dyja këmbët. Në datën 1 qershor, Gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për shtetasin Ergys Likaj, i cili u plagos me armë zjarri pnë zonën e Lungomares.

Për këtë ngjarje, në kërkim si autor i plagosjes është shpallur 18-vjeçari Ersiljo Mataj. Seanca gjyqësore është drejtuar nga gjyqtarja Mirela Mishgjoni, ndërsa masa “detyrim paraqitje” është dhënë edhe për shtetasin K. Xh., 46 vjeç, i cili ishte personi që dërgoi të plagosurin në spital. 46-vjeçari nuk ka dëshmuar se si ndodhi ngjarja e rëndë, duke u munduar ta fshehë.

Në 29 maj, atentat ndaj Edison Begajt

38-vjeçari Edison Begaj ka qenë duke luajtur me fëmijët në makinën e tij përpara shtëpisë në Kaninë të Vlorës. Më tej ai del nga makina dhe drejtohet drejt shtëpisë, por nga pas automjetit afrohet një person. Personi që qëlloi ndaj tij ishte i maskuar dhe i veshur me rroba policie.

Pasi ka shkëmbyer disa fjalë me Begajn, më tej ka nxjerr një kallashnikov duke qëlluar në drejtim të Begajt. Mësohet se kanë qenë familjarët ata që kanë transportuar 38-vjeçarin me urgjencë në spitalin rajonal të Vlorës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në dëshminë para hetuesve, Begaj ka thënë se nuk ka konflikte të hapura dhe se nuk ka dijeni për autorët.

Edison Begaj është një emër i njohur për drejtësinë. Në shkurt të 2008-s ai u arrestua në një operacion antidrogë, ku u sekuestruan edhe 284 kilogramë hashash dhe një arsenal armësh.

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda Tiranë, e dënoi me 7 vite e 6 muaj burg, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “armëmbajtje pa leje”. Po ashtu në vitin 2015, Begaj u kap me 50 kg marijuanë.

Në 18 maj të vitit të shkuar, OFL i dërgoi Edison Begajt kërkesën me shkrim për deklarimin e burimeve të pasurisë së tij. Pistat ku po heton policia është ajo e konflikteve të 38-vjeçarit, për shkak të përfshirjes në aktivitete të paligjshme. Të paktën 10 persona janë shoqëruar, por pas marrjes në pyetje janë lënë të lirë.

3 qershor, si u vra në derë të shtëpisë Shkëlzen Velaj

Një atentat mafioz ka ndodhur në Vlorë, ku si pasojë ka humbur jetën një 42-vjeçar. Shkëlzen Veliaj u vra 5 minuta pas mesanate jashtë derës së apartamentit të tij në lagjen “Çole” të Vlorës.

42-vjeçari pikasi për të shkuarën problematike e të vëllait, ndërsa bandat i morën jetën. Shkëlzen Velaj është vrarë me 15 plumba, që e kanë kapur në bark. 42-vjeçari mësohet ndër të tjera se ka qenë i arrestuar në 2019 për “trafikim të lëndëve narkotike”.

Gjashtë vite më parë, në 2015, viktimës i kanë vrarë vëllain në të ashtuquajturën “Masakra e Çoles” ku humbën jetën 3 të rinj.

42-vjeçari e ka lënë makinën e tij ndezur, dhe ka ikur me vrap për t’u futur në banesë, në katin e 5 të pallatit. Kur ka qenë duke hapur derën, atentatori ka lëshuar breshëri plumbash në drejtim të tij. Në trupin e Velajt është lëshuar një karikator automatiku. Sipas policisë, 42-vjeçari ka ndërruar jetë në spital. Autorët që e kanë qëlluar, dyshohet se kanë qenë dy. /TIRANA TODAY

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Të ndalet sa më shpejt gjenocidi ndaj myslimanëve në Kinë

Nga Joseph Bosco “The Hill” Kur tmerret e plota të Holokaustit Nazist ishin më se të qarta edhe për mohuesit më kokëfortë gjatë viteve 1940-1950,...

Dhunohet drejtoresha në Bashkinë e Tiranës

Policia njofton se është dhunuar për shkak të detyrës Drejtoresha e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit në Bashkinë e Tiranës. Agresori është një 34-vjeçar me...

‘Vatra’ deklaratë: Të na tregohet pse Berisha u shpall “non grata”

DEKLARATË PUBLIKE E FEDERATËS PAN – SHQIPTARE TË AMERIKËS VATRA, RRETH SHPALLJES ‘NON GRATA’ TË ISH- PRESIDENTIT SHQIPTAR DR. SALI BERISHA Federata Pan - Shqiptare...

BE heq kufizimet e udhëtimit për Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord të mërkurën (16 qershor) të heqin kufizimet e udhëtimit për udhëtarët nga tetë vende dhe territore...

Arma më e fuqishme e Opozitës

Nga Oerd Bylykbashi Ligji i Dekriminalizimit funksionon si sahat! Një tjetër kryebashkiak i dënuar me burgim u zbulua falë tij, duhet të largohet nga funksioni...