Mblidhet Asambleja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Futbollit, ku pritet të miratohen ndryshimet në statut.
Kreu i FSHF-së, Armand Duka, gjatë fjalës së tij kërkoi që të luftohej dhuna dhe trukimet në futboll, ndërsa për këtë të fundit, presidenti kërkoi edhe bashkëpunimin e Prokurorisë.
“Jam i lumtur që jam sërish këtu mes jush në këtë Asamble. Puna e FSHF ka qenë e mirë. Gjendja financiare është solide dhe e sigurt. Janë rritur të ardhurat dhe ulur kostot. Arena Kombëtare është një tjetër arritje e FSHF. Fatkeqësisht kemi pasur dhe probleme si dhuna në futboll apo dhe ecuria jo e mirë e Kombëtares në Ligën e Kombeve. Por na presin sfida të reja. Futbolli po ecën me hapa të mëdhenj, ne duhet të rrisim cilësinë e produktit tonë.
Kjo vjen vetëm nëse anëtarët e FSHF-së e mbështesin atë dhe lënë pas interesat e ngushta. Licencimi duhet riparë, kërkon mbështetjen e të gjithë klubeve. Sistemi i licencimit do të realizojë projektet tona të infrastrukturës. Mbyllja e njërit sy apo të dy syve siç kemi bërë në të shkuarën nuk do ndodhë. Licencimet do jenë konform rregullores. Eliminimi i fenomeneve negative si dhuna që dëmton rëndë produktin nuk do tolerohet.
Fiksimi i rezultateve të ndeshjeve nuk duhet të ekzistojë. Fatkeqësisht ky fenomen ekziston. Përpjekjet tona nuk kanë gjetur mbështetjen e institucioneve përgjegjëse. Kërkojmë bashkëpunimin e Prokurorisë për t’i thënë stop trukimit që shkatërron ndjenjat e tifozëve të vërtetë”,– tha Duka ndër të tjera në fjalën e tij.