Eshtë ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare aktori i njohur i humorit, Mane Lumani, një prej figurave më të dashura të skenës shqiptare dhe pjesë e pandashme e grupit legjendar “4 Parodistët e Vlorës”.
Prej vitit 2004, aktori nuk mundi të fliste më, pas një ndërhyrjeje të vështirë kirurgjikale në fyt, ku iu hoqën kordat zanore për shkak të një mase tumorale. Megjithatë, pavarësisht kësaj sfide të madhe shëndetësore, figura e tij mbeti e gjallë në kujtesën e publikut dhe në historinë e artit skenik shqiptar.Karrierën artistike e nisi në vitin 1974 si aktor amator në ndërmarrjen e Ullishtës në Vlorë, ku ra në sy për humorin e hollë dhe aftësinë për të sjellë në skenë personazhe të ndryshme me finesë dhe zgjuarsi.Një pikë kthese në rrugëtimin e tij ishte krijimi i grupit të njohur “4 Parodistët e Vlorës”, së bashku me Agron Hoxha, Afrim Agalliu dhe më vonë Muhamet Lika.Ky formacion u kthye në një ikonë të humorit shqiptar, falë parodive të mprehta, satirës inteligjente dhe ironisë që pasqyronte realitetin shoqëror e politik të kohës.















