Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në “Provokacija”, ka deklaruar se grabitja ka ndodhur brenda “Trekëndëshit të Bermudës” në vendin tonë. Ai sqaroi se brenda këtij harku ndodhet zona më e madhe e kompanive të biznesit në Shqipëri, e ku Rinasi është brenda trekëndëshit.
“Aeroporti i Rinasit ndodhet brenda zonës që ne që merremi çdo ditë me kriminalitetin, e quajmë “Trekëndëshi i Bermudës”. Është një vrimë e zezë në vijat Tiranë-Fushë-Krujë-Shijak.
Brenda këtij harku është zona më e madhe e kompanive të biznesit në Shqipëri. Rinasi është brenda trekëndëshit. Këtu ke një numër shumë të madh organizatash kriminale shumë të fuqishme, që janë permanente në territor.
Nëse këtu vepron grupi i Fushë-Krujës, nuk mund të vish nga Tepelena apo Tropoja dhe të hysh pa dijeni të atyre aty. Ose bën marrëveshje me ata, sepse ata të sulen më keq se policia”.
Sipas tij, atë ditë kanë qenë në ndjekje të 6 grabitësve vetëm 5 policë, të cilët mund të ishin vrarë në përballje me bandën. Artan Hoxha po kështu zbuloi se policia nuk ka qëlluar e para, por kanë qenë grabitësit. Në këtë operacion kanë qenë policë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, por të pa orientuar se më kë kishin të bënin.
“Gjëja që më ka bërë përshtypje këtë herë është se në momentin që ndodhi ngjarja, pati një sulm të drejtuar kryesisht tek policia. Ndërkohë për herë të parë policia reagoi, dhe reagoi shpejt.
Policia u vu shpejt në ndjekje dhe u përplas. Reagimi ka qenë i shpejtë, por mënyrën e reagimit nuk e zgjodhi policia. Nuk ka qëlluar e para policia, kanë qëlluar ata. Po të kishin tentuar grabitësit të vrisnin policët, do i kishin vrarë dhe aty kanë qenë vetëm 5 policë përballë 6 grabitësve.
Kanë qenë policë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, por të pa orientuar se më kë kanë të bëjnë. Njoftimi që kishin ata në radio ishte: Një makinë që dyshohet të jenë grabitësit, ka ikur në këtë drejtim. Ata janë sulur në atë drejtim”.