Gazetari investigativ Artan Hoxha, ka risjellë në kujtesë zhdukjen e bujshme të Remzi Hoxhës, shqiptarit nga Kosova që familja nuk ia gjeti kurrë eshtrat. Hoxha ka ripublikuar një status të tij që daton në vitin 2012, ku Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë dënimin për personat përgjegjës për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Ndonëse kanë kaluar shumë vite nga ky vendim, ende familja e Remzi Hoxhës nuk ka një varr ku të nderojë të ndjerin.
Statusi
Gjykata e shkalles se pare per Krime te Renda sapo dha vendimin për ish-drejtuesit e larte te Sherbimit Informativ Kombetar(SHIK) të pandehurit për rrembimin, torturimin, vrasjen dhe me pas zhdukjen pa lene gjurme te kufomes se shqiptarit nga Kaçaniku i Kosoves, Remzi Hoxha.
Ilir Kumbaro, ish-Kryetari i Deges se Pare te SHIK-ut Tirane, dënohet 15 vite burg për torturim me pasoja të renda që çoi në vrasje. Ai denohet ne mungese ndersa eshte ne kerkim nderkombetar nga Interpoli.
Per Arben Sefgjinin zyrtar i larte i administrates se qeverise Berisha dhe Avni Koldashin gjykata vendosi se jane fajtor, por vepra penale e konsumuar prej tyre “shperdorim detyre” dhe “veprime arbitrare” eshte amnistuar ne vitin 2007.
17 vite pas zhdukjes pa lene gjurme te Remzi Hoxhes, familja e tij nuk ka nje varr ku te nderoje babain dhe vellain e tyre. Ndersa ne Kosove Remzi Hoxha eshte nje hero i luftes per clirimin e saj, dhe nje nga rruget kryesore ne Ferizaj dhe nje tjeter ne Kacanik mbajne emrin e tij.
Në një intervistë të dhënë në muajin tetor, ish-kryeministri Sali Berisha foli për faktin pse historia e Remzi Hoxhës shfaqet në media, sa herë që afrojnë fushatat zgjedhore. Ai tregoi se çfarë di për zhdukjen e tij.
“Nuk ka patur dhe nuk do ketë kurrë një njeri që do të faktojë qoftë me gjënë më të vogël se Sali Berisha ka pasur një informacion, një të dhënë, nga cilido institucion, dhe ka ditur se ekziston Remzi Hoxha mbi dhe. Shpreh keqardhjen për mënyrën se si po e përdorin për qëllime politike. Përdorimi i familjarëve në kohëra elektorale, ka qenë një rregull që nuk i ka nderuar”, tha Berisha.
Më herët, djali i Remzi Hoxhës ka rrëfyer se ka hequr dorë nga kërkimi i trupit të babait të tij.
Paraditen e datës 21 tetor 1995, katër persona të prezantuar si punonjës të SHIK-ut, kanë marrë me makinë biznesmenin shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, teksa ky i fundit ndodhej në firmën e tij të duraluminit “Albatros”.
Sipas dëshmitarëve, Remziu u fut në një makinë me ngjyrë të bardhë, dhe pas askush nuk di se çfarë ka ndodhur me të. Por ato ditë u rrëmbyen edhe gazetari kosovar Avdyl Loshaj dhe biznesmeni sarandjot Ziso Kristopulli.
Të mbijetuar nga torturat gjatë hetimeve të vitit 1997, ata rrëfyen se SHIK-u i kishte rrëmbyer dhe keqtrajtuar, duke i akuzuar si agjentë të huaj. Për Remzi Hoxhën dëshmuan se ishte torturuar, por nuk dinin se ku kishte përfunduar.