Pas pjesëmarrjes në europianin Francë 2016, Kombëtarja Shqiptare u zhyt në një ‘humnerë’ nga e cila nuk po del dot. Ishte Giani De Biasi njeriu i suksesit historik, por që u largua kur pa që nuk mund të bënte më mirë me atë grup lojtarësh dhe se dikush tjetër duhet të merrte drejtimin.
Christian Panucci, një tjetër italian e pason atë në stolin e kuqezinjve. Erdhi me bujë, si një trajner me disiplinë të fortë dhe që kishte punuar për disa vite me Fabio Capellon.
Panucci e nisi me fitore me Shqipërinë dhe më pas një barazim ndaj Maqedonisë. Ndaj Italisë, Spanjës dhe Turqisë tregoi se edhe kuqezinjtë mund të luajnë futboll të bukur ndaj të mëdhenjve, por fitore arriti vetëm në përballjen e fundit. 2018 për Shqipërinë ishte për t’u harruar , pasi kuqezinjtë humbën 3 nga 4 miqësoret e luajtura.
Edhe në Ligën e Kombeve, kuqezinjtë dështuan totalisht, duke u renditur të fundit në një grup me 3 skuadra dhe ku humbën 3 nga katër takimet, duke fituar vetëm ndeshjen me Izraelin në “Elbasan Arena”.
Shansi i fundit për Panuccin ishin eliminatoret e Europianit 2020. Ndeshja e parë u zhvillua të premten në “Loro Boriçi” të Shkodrës, ku kuqezinjtë kapitulluan përballë Turqisë, duke u mposhtur 0-2. Një humbje që rezultoi fatale për fatin e italianit në stolin e Kombëtares Shqiptare, pasi një ditë më pas FSHF vendos ta shkarkojë nga posti i trajnerit.
Panucci do të mbahet mend si trajneri “arrogant” që largoi kapitenin Ansi Agolli nga kombëtarja. Tekniku italian largoi ‘gardën e vjetër’ duke u besuar më shumë të rinjve, të cilët treguan se nuk ishin gati për të marrë përgjegjësi të mëdha.
Edhe para grumbullimit të fundit, Panucci tensionoi situatën në grup, duke lënë jashtë skuadre portierin Thomas Strakosha, për një incident të pafat dhe duke u përfshirë në debat mediatik me Ermir Lenjanin.
Christian Panucci e mbyll në këtë mënyrë aventurën me kuqezinjtë, ku në 15 ndeshje që drejtoi arriti të merrte vetëm 4 fitore, 2 barazime dhe 9 humbje.
Shqiptarët: Fajtor Panucci për formën e dobët që po kalojnë kuqezinjtë
Në një sondazh të bërë nga Tirana Today, rezulton se shumica e shqiptarëve mendojnë se ish-trajneri Christian Panucci është fajtor për formën e dobët që po kalojnë kuqezinjtë.
Kështu, në sondazh kanë votuar 993 persona, ndër të cilët 38% mendojnë se fajtorë janë lojtarët, ndërsa 62% mendojnë se fajtor është Panucci.
Konkretisht, 381 vota shkojnë për lojtarët si fajtorë të paraqitjeve të dobëta dhe 612 për trajnerin.
Sonte Shqipëria do të përballet me Andorrën dhe në pankinën e kuqezinjve do të jetë Ervin Bulku dhe Sulejman Mema. Duket se ky është një vendim vetëm për këtë përballje, pasi FSHF është në kërkim të një emri tjetër për të marrë drejtimin e pankinës kuqezi për të vazhduar ‘luftën’ për një biletë në Europian.
Ndërkohë FSHF është në kërkim të trajnerit të ri të kombëtares, ku gjasat janë të jetë sërish italian, si Eduardo Reja apo Di Canio. Por nuk përjashtohet mundësia që të jetë trajner shqiptar, ku më i përfoluri është Besnik Hasi. Po ashtu mund të ketë edhe një rikthim surprizë të trajnerit që fitoi zemrat e tifozëve, Gianni De Biasi./ Përgatiti TIRANA TODAY