Transplantimi i parë i kokës së njeriut nga njëri trup në tjetrin, është kryer në një kufomë në Kinë. Një mjek italian, tha të premten se ai dhe ekipi i tij janë të gatshëm të kryejnë operacionin për një person të gjallë. Dr. Sergio Canavero, shefi i Grupit të Avancuar të Neuromodulimit në Torino, tha se operacioni u krye nga një ekip i udhëhequr nga Dr. Xiaoping Ren, i cili vitin e kaluar arriti të ‘shartonte'(transplantonte) me sukses një kokë në trupin e një majmuni.
Canavero tha se transplantimi i suksesshëm nga kirurgët në Universitetin e Mjekësisë Harbin, tregon se teknikat e operacionit për rilidhjen e shpinës, nervave dhe enëve të gjakut për të lejuar organet të jetojnë së bashku do të funksionojnë.
Edhe pse shkencëtari rus Valery Spiridonov, i cili vuan nga një sëmundje e muskujve, u bë vullnetarë për t’u bërë pacienti i parë i transplantimit të kokës, ekipi ka thënë se marrësi i parë ka të ngjarë të jetë kinez, sepse mundësia e një trupi donator kinez do të jetë më e lartë.
Canavero, i cili ka pretenduar se ka kryer me sukses operacionin në minjtë dhe majmunët, tha se dokumentet shkencore që përshkruajnë procedurën mbi kufomën, si dhe detaje të tjera të transplantit të parë të gjallë të njeriut, do të publikohen në ditët e ardhshme. Ai tha se një operacion i këtij lloj do të mund të zhvillohet në Kinë, sepse kërkesat e tij për të mbështetur projektin u refuzuan nga bashkësitë mjekësore në SHBA dhe Evropë, sipas USA Today.
Përshtati TIRANA TODAY