Tetë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme janë ndaluar, pasi prej muajsh ishin nën hetim nga SPAK. Mësohet se zyrtarët dhe ish-zyrtarët e kësaj ministrie janë vënë nën hetim, për shkelje të barazisë me tendera dhe prokurime publike.
Aktualisht vijon operacioni policor me urdhër të SPAK-ut për zyrtarët e Ministrisë së Brendshme që janë përfshirë në tenderin e dyshimtë të uniformave të Policisë së Shtetit. Tenderi në fjalë është denoncuar fuqimisht nga Partia Demokratike. Deri më tani janë ekzekutuar nga Policia tetë masa sigurie, arrestime, kërkuar nga SPAK.
Policia gjithashtu është në përfundim të kontrolleve në banesa dhe subjekte të tjera, por nuk është bërë ende e ditur se çfarë materialesh janë gjetur lidhur me akuzat e ngritura nga SPAK-u.
Tenderi për uniformat e Policisë u zhvillua në maj të 2020, dhe kapte vlerën e 27 milionë eurove, ndërsa për të është kallëzuar në SPAK në gusht të 2020, ku ngriheshin dyshime për paracaktim të kompanisë fituese.
Edlira Naqellari, Kreshnik Bejkaj, Ani Omuri, Klevis Hasani, Anisa Bogdani, Flutura Çekrezi, Fatmir Demneri, Gëzim Mingaj dhe Mariglen Buzali janë lëshuar urdhër-arreste, ndërsa një prej tyre nuk është ndaluar ende.
Hetimet kanë nisur për disa tendera të dyshimte nga Agjencia e Përqendruar në Ministrinë e Brendshme. Në 2 korrik 2021, një lëvizje rutine është raportuar nga Ministria e Brendshme, ku ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara, (Prokurimet Publike), Edlira Naqellari është shkarkuar nga detyra.
Me firmë të ministrit Bledi Çuçi, Naqellari u largua nga posti që e mbante prej 3 vitesh për tu zëvendësuar nga njëra prej drejtueseve të njësive të Agjencisë, Nertila Mihali.
Sot, 8 ditë pas largimit nga detyra, Naqellari është arrestuar nga SPAK si pjesë e grupit të zyrtarëve që kanë kryer abuzime me tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit.