Arrestohen tek Trauma vëllezërit që u qëlluan me kallashnikov, dëshmia e tyre

Policia e Shkodrës ka arrestuar dy shtetasit e plagosur mbrëmjen e kaluar në fshatin Bardhaj teksa është shpallur në kërkim nga autoritetet edhe autori i dyshuar i kësaj plagosjeje të dyfishtë.

Efektivët kanë vënë në pranga dy vëllezërit Marjan Doçi 23 vjeç dhe Hoten Doçi 30 vjeç.

Arrestimi i tyre është bërë në kushtet spitalore teksa ndodhen në Spitalin e Traumës në Tiranë jashtë rrezikut për jetën nën mbikëqyrje nga forcat e policisë. Nga ana tjetër po mbrëmë policia ka identifikuar autorin e dyshuar shtetasin Besmir Perkola, i cili ka lënë të plagosur dy vëllezërit Doçi.

Janë ende të paqarta arsyet e kësaj plagosjeje të ndodhur në Bardhaj të Shkodrës. Dy shtetasit e plagosur në deklarimin për policinë kanë thënë se nuk kanë asnjë konflikt dhe nuk e dine se përse na ka qëlluar personi tjetër dhe madje nuk e njohin se kush ka qenë.

“Ishim tek makina kur një person u afrua dhe qëlloi drejt nesh në mënyrë të papritur. Nuk e kemi idenë përse na ka qëlluar sepse nuk kemi ndonjë konflikt”, mësohet të kenë thënë dy vëllezërit për policinë duke mos pranuar që të japin asnjë detaj shtesë lidhur me arsyen përse janë qëlluar.

Nga veprimet hetimore rezultoi se:

Më datën 20.03.2021 rreth orës 19.30, në fshatin Bardhaj Shkodër, gjatë një konflikti për motive të dobëta shtetasit M. D. dhe H. D. kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit B. P. i cili i është kundërpërgjigjur duke qëlluar me armë zjarri automatik, ku për pasojë mbetën të plagosur jashtë rrezikut për jetën dy vëllezërit ndërsa shtetasi B.P., u largua nga vendi i ngjarjes dhe u shpall në kërkim.

Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit B.P.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar prova materiale që shërbejnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes si dhe mjeti tip Audi, i shtetasit M.D.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër në ngarkim të shtetasve M. D. dhe H. D. për veprat penale “Vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”, si dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, ndërsa për shtetasin B. P. për veprat penale të “Vrasje në rrethana cilësuese, e mbetur në tentativë”, dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.