Arrestimi i gjyqtares Hoxha/ KLGJ: Respektojmë pavarësinë e institucioneve

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), ka reaguar pas arrestimt të gjyqtares Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë Enkelejda Hoxha, pasi akuzohet për korrupsion.

Përmes një njoftimi për mediat, Këshilli i Lartë Gjyqësor, shprehet se do të merren masat që puna në këtë gjykatë të vijojë normalisht dhe pa penguar punën e saj dhe proceset ndaj qytetareve.

KLGJ thekson se do të marrë në vazhdimësi të gjitha masat e duhura për të garantuar vijueshmërinë e veprimtarisë së gjykatave dhe forcimin e besimit të publikut në sistemin gjyqësor.

Njoftimi i KLGJ

“Duke marrë në konsideratë zhvillimet e fundit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë lidhur me arrestimet e kryera nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), garanton opinionin publik se ka marrë të gjitha masat për vijimin e veprimtarisë së gjykatës, për të garantuar aksesin e qytetarëve në drejtësi. Këshilli i Lartë Gjyqësor rithekson se nuk mund të japë udhëzime nё lidhje me proceset gjyqësore që zhvillohen në gjykatë, procese të cilat duhet të zhvillohen pa asnjë ndikim, të çfarëdolloji”.

Enkelejda Hoxha, u arrestua ditën e sotme pas operacionit të zhvilluar nga SPAK, pasi dyshohet për veprën penale penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319/ç dhe 25 të Kodit Penal.