Rreth 90 ton “ndihma vdekjeprurëse” nga SHBA-ja kanë mbërritur në Ukrainë, mes tensioneve për grumbullimin e trupave ruse në kufi. Kjo ishte dërgesa e parë e një pakete të miratuar së fundmi të ndihmës ushtarake të SHBA-së për Ukrainën, dhe përfshinte municione për “mbrojtësit e vijës së parë”.
Dorëzimi pasoi vizitën e Sekretarit të Shtetit të SHBA, Antony Blinken, në Kiev këtë javë, ku ai paralajmëroi për një përgjigje të ashpër nëse Rusia do të pushtonte Ukrainën.
Moska ka mohuar çdo plan, për të sulmuar apo pushtuar Ukrainën. Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, miratoi paketën e mbështetjes së sigurisë prej 200 milionë dollarësh në dhjetor.
Ambasada e SHBA-së në Kiev tha se dërgesa demonstroi “angazhimin e saj të vendosur ndaj të drejtës sovrane të Ukrainës për vetëmbrojtje”.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ofrojnë një ndihmë të tillë, për të mbështetur Forcat e Armatosura të Ukrainës, në përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës kundër agresionit rus”.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, falenderoi SHBA-në për ndihmën. Dërgesa mbërriti disa orë pasi Ministri i Jashtëm i Rusisë dhe homologu i tij amerikan mbajtën bisedime “të sinqerta”, që ata i quajtën në përpjekje për të zvogëluar mundësinë e një konflikti më të gjerë në Ukrainë.
Rusia ka pushtuar më parë territorin ukrainas – Krimenë, në vitin 2014 – dhe kreu i aleancës ushtarake të NATO-s ka paralajmëruar se ekziston një rrezik real i një konflikti të ri në Evropë pasi rreth 100.000 forca ruse u grumbulluan në kufi.
Moska e ka mohuar se po planifikon një pushtim, por presidenti Vladimir Putin i ka bërë kërkesa Perëndimit, të cilat ai thotë se kanë të bëjnë me sigurinë e Rusisë, duke përfshirë ndalimin e Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n.
Ai gjithashtu dëshiron që NATO të braktisë stërvitjet ushtarake, dhe të ndalojë dërgimin e armëve në Evropën Lindore, duke e parë këtë si një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Rusisë.
Burimi i lajmit: BBC. Përshtatur nga Tirana Today