Apeli i fortë i OBSH-së: Të përgatitur për një valë të dytë apo të tretë të pandemisë

OBSH ka apeluar ndaj gjithë shteteve që të jemi të bashkuar, dhe se me gjasë mund të kemi një valë të dytë ose të tretë. Aktualisht, koronavirusi ka krijuar një hartë të kuqe në disa shtete, e në disa të tjera ka nisur zgjerimi i fashës së orarit për dalje.

Aktualisht bilanci negativ me viktimat nga koronavirusi është në Spanjë, Itali, Britani, Gjermani dhe Francë. Në një konferencë për mediat, drejtori rajonal për Europën në OBSH, Hans Kluge, paralajmëroi se situata mbetet serioze.

“Situata mbetet serioze dhe jo uniform në të gjithë Europën, ku Spanja, Italia, Britania, Gjermania dhe Franca kanë ende numrin më të lartë të rasteve, por në vijim të masave të distancimit shikojnë një reduktim të rasteve. Duhet t’i monitorojmë këto zhvillime pozitive nga afër”, tha ai.

Drejtori rajonal për Europën në OBSH, shtoi më tej se pa shëndetin nuk ka ekonomi dhe siguri.

“Në pandeminë e koronavirusit pamë shpejtësinë me të cilën edhe sistemet më të mira shëndetësore mund të shkatërrohen. Shëndeti duhet të jetë në krye të axhendës politike. Pa shëndetin, nuk ka ekonomi dhe siguri. Ky është një leksion që nuk duhet harruar”, tha Kluge.

Në kohën kur ende nuk ka një vaksinë, Hans Kluge u shpreh se me gjasë mund të kemi një valë të dytë ose të tretë të pandemisë.

“Kur të kalojë vala e parë e virusit, është e rëndësishme të bëhen përgatitjet për një valë të dytë ose të tretë, sidomos nëse nuk ka ende një vaksinë në dispozicion. Duhet të jemi të përgatitur. Tani e tutje shëndeti publik duhet të ketë prioritet më të madh në shoqëri. Duhet të kemi një shëndetësi të fortë”.