Ish-kryeministri Aleksandër Meksi ka reaguar lidhur me aktin e ndërmarrë nga presidenti Meta për anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.
Meksi shprehet se dekreti i presidentit duhet të zbatohet detyrimisht, ndërsa shtoi se trazirat politike që po ndodhin aktualisht në vend, mund të tejkalohen me vullnetin e të gjitha palëve politike.
“Një vendim që botohet në fletoren zyrtare duhet të zbatohet detyrimisht. Krizën politike e zgjidhin të tërë bashkërisht nëse duan ta zgjidhin. Nëse e kanë për interes se kriza është e dobishme për të ecur përpara, është tjetër gjë. Politikanët duhet të bëjnë politikë dhe të zgjidhin krizën”, deklaroi Meksi gjatë një interviste për “Ora News”.