Angel Di Maria është sot një nga futbollistët më të njohur në Argjentinë dhe botë. Pasi luajti fillimisht në radhët e klubit të vendlindjes, Rozario, ai spikati në Evropë. Fillimisht me Benfikën në Portugali, dhe më pas me Realin e Madridit në Spanjë, me të cilin fitoi edhe Champion League në vitin 2014.
Më pas u transferua për një sezon në Angli, tek Mançester Junajtid, dhe prej 4 vitesh është pjesë e francezëve të PSG. Por jeta e tij, ka qenë tepër e vështirë.
Familja e tij ishte shumë e varfër. Babai punonte gjithë ditën në minierë qymyrguri, pa mundur që t’u siguronte dot jetesën fëmijëve të tij.
Ai kishte qenë dikur futbollist profesionist, por një dëmtim i rëndë në gju, i kishte dhënë fund karrierës. Qëkur ishte 10-vjeç, Angel së bashku me motrat e tij, nisi të ndihmonte të atin në minierë.
Fëmijët merreshin me seleksionimin e mineraleve në hyrje në minierës. “Ishte një punë vërtet e vështirë, sidomos kur ishte kohë e keqe”- kujton Di Maria.
Falë punës në minierë, ai arriti të blinte këpucët e para të futbollit, me të cilat nisi të stërvitej në kohën e lirë. Talenti i tij, u ra menjëherë në sy drejtuesve të Rozarios, ndërsa shumë shpejt u bë pjesë e ekipeve zinxhir të kombëtares argjentinase. “Babai im nuk ia doli dikur, sot unë po jetoj ëndrrën e tij”, është shprehur Di Maria.
TIRANA TODAY