Analizë / Ndeshjet e sotme të basketit shqiptar në syrin e Tirana Today

E Mërkura ka rezervuar për dashamirësit e basketbollit Shqiptar, sfida interesante.


Rikthehet në parketin e sallës sportive “Farie Hoti”, derbi klasik mes Vllaznisë edhe Tiranës. Të dyja të ndodhura në mesin e tabelës me 2 fitore e 2 humbje secila, ftohen të përballen në atë që qartazi do qartësojë vëndin e tretë të një kampionati, tepër kompetitiv.


Vllaznia vjen në këtë përballje, me një arsenal të ri lojtarësh të cilët duket që ende nuk kanë lexuar siç duhet udhëzimet e tranjerit të sapoardhur
amerikan Matthew Jones. Teksa skuadra gëzon lojtarë si Stanley edhe Cooper të cilët bëjnë detyrat siç duhet, pjesa tjetër e skuadrës, duket sikur ka ngelur në marshin e parë. Kjo ka sjellë një Vllazni e cila pëson shumë lehtë edhe shënon pak për potencialin që ka në letër.


Tirana ka ruajtur ekipin që ka pasur sezonin e kaluar, duke paraqitur një grup ku është miksuar përvoja e Shimës,Voglit dhe Hasanit me shpërthimin e Hysës, Beqos dhe Vaqarrit.

Blutë e kryeqytetit, duke pasur në pankinë një ekspert të superligës, Erkan Karaj, këtë sezon kanë korigjuar makthin e vitit të kaluar: mbrojtjen. Por teksa Tirana ka mbrojtjen dhe sulmin e dytë më të mirë të kampionatit, stoli i saj prodhon pak pikë, duke sjellë një presion ndaj ekipit pikërisht në fundit e lojës.


Klasikja e basketbollit Shqiptar, sot më shumë se asnjëherë në 5 vitet e fundit, është një ndeshje që duhet luajtur dhe shijuar, me lapsë edhe letër.

Por emocione sot ka edhe në Durrës, aty ekipi vëndas i Teutës, thirret në apel nga komshinjtë e zhurmshëm të Gogës. Sfida në “Ramazan Njala” vë përballë dy rivalët e viteve të fundit të koshit Shqiptar , të cilët vijnë në këtë javë të 5-t me numër të barabartë fitoresh, por me rrugëtime të ndryshme.

Teuta është nga të paktat skuadra të cilat me sukses ka arritur të ruajë disa nga lojtarët të cilët vitin e kaluar, e rënditën si pretendente serioze për të fituar kampionatin. Duke sjellë në pankinë malezezin Milatoviç,me disa afrime lojtarësh të huaj si Ducree edhe i rikthyeri Miranoviç por edhe vëndas si Gjonaj, ekipi duket mëse i plotë.

Teuta shënon me lehtësi dhe të gjitha linjat duket se funksionojnë, gjë që sjellë edhe luksin për të pasur 8 lojtarë që shënojnë rregullisht. Por dukshëm këtë sezon vuan mungesën e dy shtyllave të saj si Julian Hamati edhe Endrit Hysenagolli, me të cilët vjet luante pa shkaktuar dhimbje koke te sportdashësit.


I pari prej muajsh shkëlqen te Bashkimi i Prizrenit edhe pret “Ligën Unike” për ti treguar djemve të detit, çfarë kanë humbur. Nga ana tjetër, Hysenagolli rikthehet pas “pushimeve” te shtëpia e dytë e tij “Bashkimi”, për të veshur fanellën e Gogës.


Një Goga që sivjet ka thyer tabun e “skuadrës amerikane nga Fllaka”. Me afrimet e fundit të lojtarëve si Strazimiri, Hysenagolli dhe Lilaj por edhe me rikthimin e Djokoviç dhe Ramme është kthyer në një ekip kompakt edhe solid, duke “pastruar pluhrat” nga gabimet foshnjarake të lojtarëve të viteve të kaluara.

Një ekip të cilin vetëm Tirana e ka rivalizuar në lojë deri më tani, gjen veten duke shënuar mesatarisht 108 pikë për ndeshje e pësuar vetëm 68. Sot vihen përballë një tjetër sprove ndaj një skuadre që vuan por ka eksperiencën të kthejë një ndeshje brënda dy aksionesh, siç është Teuta.

Ndeshja në Durrës, është nga ato që do na bëjë me siguri të mbajmë frymën nga një aksion në tjetrin.

Gjithashtu ndeshja e fundit për këtë javë është ajo mes Partizanit dhe Eagles Basket, e cila ngjallë interes për llogaritë e rënjes nga kategoria, ku përballë vihen dy skuadra të cilat kanë humbur të gjitha ndeshjet e këtij sezoni e shpesh me diferenca tepër të mëdha.

Partizani gjen ngushëllimin në faktin që lojtarët e rinj në moshë si Shahini edhe Huqi mund ta mbajnë në Superlig sivjet teksa përballë kanë një skuadër ku duke veçuar Pyllën, të tjerët pak mund të bëjnë për të shpëtuar fatin e një skuadre plot gabime në lojë edhe një mbrojtje që, deri tani është ngarkuar me mbi 100 pikë çdo ndeshje.