Analisti Mustafa Nano ka dhënë mendimin e tij lidhur me ngërçin që ka kapluar politikën shqiptare, pas vendimit të Metës për të anuluar zgjedhjet.
Teksa mazhoranca ka kërkuar shkarkimin e kreut të shtetit, analisti shprehet se nëse kjo nuk ndodh, Meta do e japë vetë dorëheqjen, duke lënë të kuptojë se tashmë e ka vendosur me kë krah do të shkojë.
“Ilir Metës do i shkonte ta shkarkonte, po i hanë duart të shkojë andej ku është opozita. I hanë aq shumë duart, sa edhe nëse nuk e shkarkojnë, ka për të dhënë dorëheqjen vetë.
Kam përshtypjen se nëse ndarja do bëhet më e madhe mes opozitës dhe qeverisë, ai nuk do rrijë më aty”, deklaroi Nano.
Vendimi i Ilir Metës për të ç’dekretuar 30 qershorin si datë të mbajtjes së zgjedhjeve lokale është botuar në Fletoren Zyrtare. Nga ana tjetër, mazhoranca shprehet se nuk ka gjë që e pengon 30 qershorin.
Kreu i Shtetit u shpreh besimplotë se kriza politike në Shqipëri do të zgjidhet. Në konferencën për mediat, ai tha se nuk kanë mbaruar ende shqiptarët dhe evropianët e përgjegjshëm.