Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, tha për mediat se pas dështimit të raundit të tretë, Presidenti që do të zgjidhet me votat e PS-së, nuk do të jetë Presidenti i shqiptarëve. Ai akuzoi mazhorancën për prishjen e marrëveshjes, ndërsa tha se opozita ishte e vetmja që mori pjesë në proces në tre raundet e para që dështuan të shkonin drejt një emri konsensual.
“Një President mbi palët do ishte garancia që më vonë, që sa herë të kishte joshje, shantazhe e sfida, Presidenti të qëndronte në mënyrë serioze në lartësinë e detyrës.
Ishte mazhoranca ajo e cila duke tërhequr, ngrënë fjalën e duke mos marrë pjesë në proces, të vetmit që kemi marrë pjesë në proces ne jemi, opozita. Ofruam rregulla, kërkuam dakordësi, ecëm me faktin e kandidaturave, asgjë për të qortuar në vendimmarrjen tonë.
Nëse do ecnim me kandidatura të njëanshme tonat, përsëri do ishte President i njëanshëm, ja pse në dokumentet tona qëllimi nuk ishte për të ecur me agjendë individuale por të përbashkët. Dokumenti ynë e qartësonte që do ishte proces i përbashkët, e do finalizohej që ajo siluetë politike që do identifikohen si konsensuale. Fakti që nuk çuam ne, ideja s’është për të zgjedhur President të njëanshëm por mbi palët, e që të jetë mbi palët duhet që palët të jenë së bashku, jo të kulisave, në dritë të diellit. Ja pse i qëndruam paktit e dakordësisë. Me idenë që të mos jetë President, nuk është President tangoje, jo, por President i shqiptarëve. Ne morëm pjesë në proces për t’i grisur maskën e hipokrizisë që PS, Rama hodhi dikur që duam konsensus, e pra ne bëmë pjesën tonë. Pala tjetër nuk bëri pjesën e vetë”, tha Alibeaj.