Bota

Albin Kurti, karriera e pazakontë dhe sfidat e vështira që e presin politikanin qëndrestar (video)


               Publikuar në : 17:13 - 10/10/19 M. S

Albin Kurti, lideri dhe themeluesi i Lëvizjes Vetëvendosje, do të jetë kryeministri i ri i Kosovës. I lindur në Prishtinë në vitin 1975, Kurti nisi të spikasë që në vitin 1997, kur organizoi protestat e studentëve të Universitetit të Prishtinës, kundër regjimit të Milosheviçit. Me nisjen e luftës, në gushtin e 1998-ës u angazhua në zyrën e përfaqësuesit të përgjithshëm politik të UÇK-së, Adem Demaçit.

Gjatë bombardimeve të NATO-s, qëndroi në Prishtinë deri më 27 prill 1999, kur u arrestua nga policia serbe, dhe u transferua në burgjet serbe. Më 13 mars 2000, u dënua me 15 vjet burg, por u lirua si pasojë e presionit ndërkombëtar në dhjetorin e 2001-it.

Pasi u diplomua në vitin 2003 në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, Albini vazhdoi të ishte një aktivist i vijës së parë i të drejtave të njeriut.

Dy vite me vonë, themeloi Lëvizjen Vetëvendosje. Ajo zhvilloi protesta të shumta në mbarë Kosovën, që në jo pak raste degraduan në akte dhune. Ai dhe qindra aktivistë të lëvizjes, janë arrestuar disa herë.

Kurti kundërshtoi negociatat me Serbinë për statusin përfundimtar të Kosovës. Ndërsa nuk njohu flamurin dhe himnin e saj, kur u shpall pavarësia në vitin 2008. Albini ka qenë një ndër kritikët më të fortë të kastës së vjetër politike të LDK, dhe ish-komandantëve të UÇK, që drejtojnë PDK.

Reagimet e tij të forta me theks bashkimin kombëtar me Shqipërinë, kanë shqetësuar shpesh faktorin ndërkombëtar, që e ka izoluar në vazhdimësi. Tymueset në Kuvendin e Kosovës, ishin emblema e kundërshtimit që VV i bëri qeverisë së Isa Mustafës. Në shumë zgjedhje, Kurti refuzoi të bëjë koalicione me 2 partitë e mëdha, ndaj dhe mbeti shumë gjatë në opozitë.

Dy vjet më parë, partia e tij u përça, dhe një pjesë e themeluesve krijuan një parti të re. Por Kurti nuk u dekurajua. Me kokëfortësi, ai arriti t’i imponohet këtë herë gardës së vjetër, duke e nxjerrë VV forcë të parë politike në Kosovë. Gjithsesi, numrat në parlament e detyrojnë të hyjë gjithsesi në qeveri me një nga 2 partitë e vjetra.

Bashkëjetesa me LDK, nuk pritet të jetë aspak e lehtë. Një video e realizuar nga aktivistët LDK vitin e kaluar, dhe postuar në faqen zyrtare të partisë në FB, denonconte “100 fytyrat e Albinit”. Aty Kurti akuzohet deri edhe si bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete serbet, falë të cilave arriti të lirohej shpejt nga burgu. Por sfida më e madhe janë bisedimet me Serbinë, që do të mbahen në kushtet e një presioni të shtuar nga SHBA, për arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. 14 vitet e fundit, opozitari Albin Kurti, ia doli të jetë koherent me idetë dhe vizionet e tij. Koha do të tregojë, nëse kjo do të jetë e mundur edhe me kryeqeveritarin Albin Kurti.

TIRANA TODAY

 

 

 

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT