Reagon bashkëshortja e tregtarit në Durrës Agim Arapi, i cili u vra në prill të vitit 2017, ngjarje për të cilën u akuzua Jurgen Kurti.
Ky i fundit u vra mbrëmë në një atentat pranë shtëpisë së tij, ndërsa Vjollca Arapi e ka akuzuar publikisht për vrasjen e të shoqit.
Në një prononcim për ‘BalkanWeb’, bashkëshortja e tregtarit Agim Arapi, thotë se familja e saj nuk ka lidhje me vrasjen e 26-vjeçarit Jurgen Kurti.
Ajo shpreh keqardhje për ngjarjen e rëndë, ndërsa shprehet se ajo ia kishte lënë çështjen në dorë drejtësisë, e cila sipas saj nuk u vu kurrë në vend.
“E dëgjova në media për vrasjen. Më erdhi keq se ishte djalë i ri. Keqardhje për nënën e tij që i iku djali dhe i them se unë dhe familja ime s’kemi lidhje me atë ngjarje. Unë kam kërkuar burgun, drejtësinë, jo vdekjen e tij. Prokuroria e Tiranës erdhi dje ne banesën time dhe bëri kontroll. Më morën në pyetje, por unë nuk di gjë për vrasjen dhe 3 fëmijët e mi jetojnë në Itali. Drejtësia nuk u vu në vend për bashkëshortin tim sepse u ble me para”,– tha ndër të tjera bashkëshortja e Agim Arapit.
Jurgen Kurti ishte i akuzuar për dhunimin për vdekje të një tregtari në Durrës, në prill 2017. Ai fitoi lirinë pasi për krimin u dënua vëllai i vjehrrit të tij. Kujtim Ekonomi u dënua me 5 vite burg për vrasje nga pakujdesia, por bashkëshortja e tregtarit të ndjerë, Vjollca Arapi ka kërkuar drejtësi pasi sipas saj kamerat e sigurisë në biznesin e tyre tregonin edhe përfshirjen e Jurgen Kurtit. Ajo akuzonte të riun se është përgjegjës për vrasjen e burrit të saj.
Si ndodhi ekzekutimi
Dy persona që dyshohet se po e prisnin në hyrjen e pallatit, që ndodhet në rrugën “Zef Jubani”, mbrapa Postës nr.8 në Tiranë, e kanë qëlluar për vdekje me 3 plumba. Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 22:20, kur Jurgen Kurti po shkonte në shtëpinë e tij.
Policia zyrtarisht tha se ngjarja ka ndodhur në rrethana ende të paqarta. Burime nga grupi hetimor deklaruan se atentatorët dyshohet të kenë qenë dy persona, që kanë qenë në lëvizje me makinë.
I riu ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje sapo është njoftuar nga dëshmitarët. Pas ekzekutimit mafioz, familjarët dhe e fejuara e Jurgen Kurtit janë mbledhur në vendin e ngjarjes, ku kanë shpërthyer në lot.
Mësohet se e ëma e 26-vjeçarit ndodhej në shtëpi në momentin kur i biri po shkonte ta takonte, por nuk arriti dot të ngjitej deri në katin e gjashtë. Krimi ndodhi në të njëjtin pallat ku tri vite më parë mbeti i vrarë babai i Jurgenit, Artur Kurti.