Akuzat ndaj Bashës, Mustafa: Gjykatën Speciale nuk na e bëri as ai e as Berisha

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar në lidhje me debatin që kanë shkaktuar akuzat ndaj kreut të PD-së për Luftën e Kosovës. Pas akuzave ndaj Bashës në lidhje me kasetën e masakrës së Krushës apo dhe Shtëpisë së Verdhë, Mustafa thotë se sulme të tilla e dëmtojnë.

Ai deklaron se Shqipëria i ka dalë në krah Kosovës në kohët më të vështira, si gjatë qeverisjes së demokratëve ashtu edhe të socialistëve. E për rrjëdhojë, qëndrime të tilla të pavërteta, nuk iu vijnë në ndihmë pjestarëve të UÇK-së, që tani janë në Hagë.

Por përkundrazi, i bëjnë keq harmonisë dhe solidaritetit shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë. Mustafa shkruan se nuk ka qenë Lulzim Basha dhe Sali Berisha që krijuan Gjykatën Speciale, por vetë Kuvendi i Kosovës.

Statusi

Të nderuar qytetarë,

Shqipëria i doli në krah Kosovës në në kohët më të vështira rrugën e saj të çlirimit dhe shtetndërtimit, si gjatë qeverisjes së demokratëve ashtu edhe të socialistëve. Nëntë vite kam qenë në ekzil, nga viti 1990 deri më 1999, dhe e kam përjetuar Shqipërinë si shtëpinë time, shtetin tim.

E ndjej shumë rëndë që në vitin 2020 të “zbulojmë” se dikush nga Shqipëria pas çlirimit paska qenë kundër UÇK-së. Konstruktime të tilla të pavërteta, nuk iu ndihmojnë pjestarëve të UÇK-së që tani janë në Hagë. Nuk i bëjnë mirë të së vërtetës. I bëjnë keq harmonisë dhe solidaritetit shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë, që na nevojitet më shumë se çdoherë më parë.

Gjykatën Speciale, nuk na e bëri Lulëzim Basha, Sali Berisha, ….por për te vendosi Kuvendi i Kosovës. Nëse s’do ta bënte Kosova do të vendoste Këshilli i Sigurimit i KB. Shqipëria nuk ka dorë dhe as hile në këtë vendim dhe as në proceset gjyqësore që u zhvilluan pas lufte.

Lexo edhe :   Mos kërkoni që Basha “të ikë si Berisha”

Për ne duhet të ketë qenë nder prezenca e shqiptarëve nga Shqipëria në misionin e UNMIK-ut, sikurse edhe e kosovarëve. Ka qenë ndihmë specifike.

Baltosja e njerëzve pa asnjë arsye të shëndoshë dhe pa argumente nuk është rrugë dhe mënyrë e mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, të vlerave të shtetit tonë dhe të shtetit shqiptar. Duhet të pushojnë sulmet e tilla, sepse po na dëmtojnë. IM