Stil

Aktori që luajti “Arturo Ui”: Amaneti i Naim Frashërit për Teatrin

               Publikuar në : 16:48 - 17/08/19 user tir

Pulsin e Teatrit e ka ndierë në çdo cep të tij. Ka përjetuar emocionet e zemrave që rrahin pas kuintave, atyre në skenë e mes publikut në sallë. Në biletari, oborr, për çdo lozhë, kabinë etj., ka një histori për të rrëfyer.

Shkëlqim Basha, i njohur si “Arturo Ui” shqiptar, e me mbi 70 role në Teatrin Kombëtar e dhjetëra role në kinematografi, e ka të pamundur të besojë se kur të rrëfejë historinë e këtij tempulli kulture, një ditë mund të thotë: E shembën. “Kjo do të ishte një njollë e madhe, të cilën s’ka teatër modern a gjigant që ta shlyejë”, thotë aktori.

Edhe pse prej vitesh jeton në Itali, përmes artit ka mbështetur gjatë kësaj kohe miqtë e kolegët e tij. Idealistët si Edmond Budina, që siç thotë, mendojnë për perspektivën e Tiranës dhe brezat që do vijnë. “Artistët me të cilët unë solidarizohem, janë ata që e kanë jetuar atë Teatër, që kanë një vizion për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë, por njëherazi edhe për ruajtjen e kujtimeve që lidhen me një brez aktorësh që sot nuk jetojnë më, por që janë themeluesit e Teatrit”, thotë Basha për “Panoramën”.

Zoti Basha, keni luajtur dhjetëra role në Teatrin Kombëtar, çfarë ju mungon më shumë prej asaj skene?

Kam qenë 7-8 vjeç, kur kureshtja më brente për të parë shfaqjet. Qëndronim në radhë në përpjekje për të gjetur dikë për të na shoqëruar. Këmbëngulnim e u thoshim: Na merr për dore e thuaj se jam fëmija yt, deri sa ia dilnim mbanë. Sa shumë kujtime në ato ambiente të ngrohta, që më vijnë gati si në ëndërr. Mbaj mend kur u dha shfaqja “Dhelpra dhe rrushtë” e Mihallaq Luarasit, me aktorë të njohur si Margarita Xhepa, Esma Agolli, Kadri Roshi, Lazër Filipi, Mario Ashiku etj.. E kam ndjekur atë shfaqje mbi 20 herë dhe sa herë që është vënë në skenë, salla ka qenë plot. Ishte një vepër që fliste në mënyrë të sofistikuar për lirinë, që të mos krijoheshin paralelizma evidentë me diktaturën dhe jetën e përditshme, ku liria ishte e cunguar.

Mirëpo, nëntekstet e saj për skllavërinë të çonin atje. Mandej kujtoj kabinat e vogla të aktorëve. Unë pata rastin të jem në një kabinë me Sulejman Pitarkën e më vonë me Robert Ndrenikën. Mbaj mend aktorë të vjetër e të rinj se sa kompakt ishin. Rrinin e bisedonin në fuajenë, që ishte si një vetëqëndrim edhe gjatë shfaqjeve, në pauzat që ndanin njërin akt nga tjetri. Ne të rinjtë përftonim nga rrëfimet e më të mëdhenjve, edhe për të mësuar, por njëherazi për të shuar kureshtjen. Ata na tregonin çfarë kishin kaluar, shfaqjet që kishin realizuar… Na tregonin teatrin në Teatër.

Përmes artit, ju e keni bërë të ditur qëndrimin tuaj lidhur me kauzën e Teatrit Kombëtar. Çfarë ju nxit të pozicionoheni në krah të kolegëve tuaj, që e mbrojnë atë godinë?

Solidarizohem plotësisht me protestën e artistëve dhe dashamirësve të tjerë të Teatrit, qofshin ata qytetarë të thjeshtë apo personalitete të fushave të ndryshme. I mbështes ata, pasi jam për restaurimin e Teatrit, duke ruajtur arkitekturën që ai ka. Duke u bërë kjo, ruhen vlera të mëdha kulturore, historike, por edhe arkitektonike. Artistët me të cilët unë solidarizohem, janë ata që e kanë jetuar atë Teatër, që kanë një vizion për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë, por njëherazi edhe për ruajtjen e kujtimeve që lidhen me një brez aktorësh që sot nuk jetojnë më, por që janë themeluesit e Teatrit. Unë kam pasur fatin të jem ndër aktorët që kam luajtur në atë Teatër.

Kam interpretuar me plejadën e aktorëve të vjetër dhe ato janë kujtime të pashlyeshme, jo vetëm në aspektin subjektiv, por edhe objektiv. Ata njerëz që themeluan Teatrin kanë të drejtën të mbijetojnë përmes kujtesës, në atmosferën e kësaj godine. Është një ndërtesë, në të cilën janë shpalosur dhjetëra ngjarje që kanë të bëjnë me zhvillimet e Teatrit, politikës dhe historisë së Tiranës, por edhe të Shqipërisë.

Është folur edhe për një rrezik të mundshëm shembjeje nga tërmeti apo të tjera shkaqe. Unë mendoj se atij Teatri, që ka rezistuar për vite, nuk i kanoset një rrezik i tillë, por duan të justifikojnë shkatërrimin e tij për të tjera motive. Rrënimi i kësaj vlere fsheh interesa të tjera, materiale, egoistike, deri edhe maniakale.

Kërkojnë të vendosin vulën e zezë e ta zhdukin Teatrin, siç kanë bërë me shumë objekte të tjera në Tiranë. Historianët, arkitektët, specialistët e trashëgimisë e kanë thënë fjalën e tyre. Unë jam me ata mendimtarë, që kanë argumentuar dhe kërkojnë ruajtjen e kësaj tradite.

Keni interpretuar në krah të emrave si Kadri Roshi, Lazër Filipi, Sulejman Pitarka etj.. Është përmendur së fundmi fakti se plejada e vjetër e aktorëve ka kërkuar një Teatër të ri, në po atë territor. Cili ka qenë realisht qëndrimi i atyre aktorëve lidhur me këtë çështje?

Unë kam biseduar disa herë me Naim Frashërin, një ndër aktorët themelues të Teatrit, fjala e të cilit kishte peshë, pasi ishte mjaft i dëgjuar edhe nga qeveria e asaj kohe. Naimi ka kërkuar ndërtimin e një teatri të ri dhe ka bërë çmos që kjo të arrihej, por jo duke prishur teatrin e vjetër. Madje, kujtoj se më ka thënë këto fjalë: Unë ndoshta teatrin e ri nuk do ta gëzoj, por ti dhe gjenerata jote, me siguri që po. Fakt është se një teatër i ri nuk është bërë as tani që unë jam në pension dhe në një moshë shumë më të madhe se ç’ishte Naimi kur m’i tha ato fjalë.

Ishte menduar ndonjë vend konkret për ndërtimin e një Teatri tjetër?

Variantet e përfolura për ndërtimin e një teatri të ri ishin dy: I pari qe në Parkun Rinia, për të mundësuar një lloj lidhjeje me kompleksin e atij vendi e tjetri ishte në ish-stadiumin “Studenti” të lojërave me dorë. Ndërkaq, teatri aktual do të vijonte funksionin e tij. Për të legjitimuar shembjen përmendet edhe fakti se ajo godinë nuk u ndërtua për të qenë Teatër… Ju që e keni jetuar për vite atë skenë, e gjeni me vend një pohim të tillë?

E them me bindje, bazuar edhe në bisedat që kam shkëmbyer me specialistë, se ajo ndërtesë është Teatër e i përmbush të gjitha kriteret për të qenë e tillë. Teatri Kombëtar ka një akustikë, që nuk e ka asnjë prej teatrove të tjerë në Shqipëri.

Kujtoj gjatë viteve të fundit ’70, kur u bë rikonstruksioni i skenës, ne u zhvendosëm për 6 muaj në Akademinë e Arteve, që asokohe funksiononte si teatër opere. Akustika atje ndryshonte, pasi ishte krijuar posaçërisht për teatër opere, për këngëtarët. Ndihej një eho dhe ne nuk e dëgjonim frazën tonë. Qe e vështirë të ambientoheshim, pasi ishim mësuar me një akustikë të përsosur për aktrim, që nuk haset në asnjë teatër tjetër në Shqipëri.

Fakti që situata aktuale përkon me “Arturo Ui”, është përmendur shpesh edhe gjatë protestave. Si e perceptoni ju që e keni interpretuar vetë rolin e protagonistit në Teatër?

Kam bërë edhe një poezi që lidhet më këtë argument, të titulluar “Diktatori modern”, ku them ndër të tjera se kjo është një diktaturë me ligjet e diktaturës. Paralelizmi është shumë evident. Gjendja diktatoriale që është krijuar në Shqipëri ndihet. Është një diktaturë, ndoshta jo aq e egër sa ajo që ne kaluam, pasi ajo kishte jo vetëm ligjet, po edhe dhunën e zhdukjen fizike. Këto të fundit fatmirësisht nuk janë, pasi bota ka bërë hapa para dhe as vetë shqiptarët nuk e pranojnë. Madje, populli gradualisht po ndërgjegjësohet, po reagon ndaj kësaj diktature.

Unë jam koherent me gjithçka ndodh në Shqipëri e në skenën ndërkombëtare: Ai po humb terren dita-ditës. Njerëzit e kanë kuptuar dhe është krijuar një mendim i përgjithshëm kundër kësaj vije diktatoriale. Sigurisht që ai ka arritur t’i manipulojë disa, që ndoshta janë më të prirur ndaj interesave, duke u dhënë “një kafshatë”. Por shumica janë zgjuar.

Shpërfillja e mendimit të specialistëve, thuajse nuk është hasur as gjatë diktaturës. Siç e pohuat edhe ju, as asokohe nuk është dashur shembja. Ideja për ruajtjen e Teatrit po avancon çdo ditë dhe unë jam i bindur se shembja e asaj godine nuk do të ndodhë. Nuk ka se si, kur diaspora po flet kundër rrënimit të teatrit, arkitektët, urbanistët, studiuesit, artistët dhe qytetarët e thjeshtë po ashtu.

Njerëzit po ndërgjegjësohen se arkitektura e Tiranës po vihet në rrezik, deri më tani kanë krijuar një lëmsh urbanistik e arkitektonik. Është bërë një punë joserioze për zhvillimin e qytetit, bazuar në interesat e elementëve të caktuar. Artistë e qytetarë janë në pararojë të mbrojtjes së Teatrit prej 18 muajsh.

Kjo ngjarje ka prekur shpirtrat e njerëzve, së paku të atyre që e duan kulturën, artin, të bukurën. Është një rast i paprecedent. Objektet me vlerë ruhen në mbarë botën. Kujtoj se gjatë viteve të fundit ’70 kemi shkuar në një turne në Maqedoni, ku luajtëm në një teatër të vogël, gati me 100 vende. Ishte realisht shumë i vjetër, edhe pse ndiheshin përpjekjet që ishin bërë për ta sjellë në formë.

Ishte i lyer e mbahej i pastër. Po kishte një arsye se pse kjo godinë ishte e shtrenjtë për ta. Në atë sallë kishte interpretuar Sarah Bernhardt. E kujtoj ende sot, lozhat e atij teatri ishin tepër të vogla, si të qe një teatër kukullash. I tillë qe, por e ruanin si relikte. Ndërsa ne, duke pasur një teatër me akustikë perfekte, simbol të një epoke, duam ta shembim. Ky është barbarizëm modern.

Ç’mund të thoshit për kolegët që kërkojnë një Teatër të ri, me koston e shembjes së aktualit, ndonjëherë edhe duke përdorur tone fyese ndaj atyre që mbrojnë godinën?

Mendoj se ata kanë të drejtë të shfaqin mendimin e tyre, por jo të fyejnë. Më vjen keq ta pranoj, por një pjesë e këtyre artistëve nuk kanë kujtesë historike e as nuk janë thelluar në studimet që janë bërë. Kjo është një vepër jo e veçuar, po e lidhur me gjithë kompleksin, ndaj mendoj se duhet ta mendojnë më gjatë, se të thuash “ta prishim këtë e të bëjmë një të re” është e lehtë, por kjo ka pasoja të parikuperueshme. Është thënë gjithashtu se disa prej aktorëve që sot nuk janë më, janë sëmurur prej kushteve të këqija të teatrit, unë dua të them se kolegët e mi nuk janë sëmurë nga teatri, përndryshe do të ishim sëmurë të gjithë. E kuptoj që në këtë çështje mund të ketë edhe interesa të tjera të artistëve që kërkojnë shembjen e Teatrit, por godina aktuale mund të rregullohet me ndërhyrjet e nevojshme. Le të dëgjojmë zërin e profesionistëve!

Çfarë do të humbiste Tirana me shembjen e Teatrit Kombëtar, i konsideruar edhe si “djepi” i institucioneve të tjera të kulturës?

Shembja e këtij Teatri do të ishte barbari. Si do t’u shpjegohet historia e këtij teatri brezave që do të vijnë?! T’u themi se mbi Teatrin që qe u ndërtua një i ri? T’u shpjegojmë 8 dekada ngjarje e protagonistë të skenës përmes një godine të re, që sado moderne e nis historinë nga zero?! Realisht, do të guxojnë ta mbyllin historinë e kësaj godine të shenjtë, duke thënë: “E shembëm!?”

Kjo do të ishte një njollë e madhe, të cilën nuk ka teatër modern a gjigant qoftë, që ta shlyejë. Përgjegjësia për këtë do të binte mbi iniciatorët, por edhe pasuesit.

A do kthehet Shkëlqim Basha në Teatër?

Festivali për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental “Kujtim Spahivogli” ka bërë të mundur që publiku të afrohet përsëri në sallën “Kadri Roshi”, të kyçur prej një viti e gjysmë. Nga Mehdi Malkaj, Justina Aliaj, trupa nga Kosova me “Kanuni i gruas”, performancë akustike e Gjergj Kaçinarit etj., të gjithë kanë dhënë kontributin e tyre artistik në këto shfaqje protestë. Kur aktorin Shkëlqim Basha e pyesim për një rikthim të mundshëm në skenën e Teatrit, edhe pse sapo ka bërë një ndërhyrje në zemër, ai e lë mundësinë të hapur.

“Pavarësisht se kam bërë një operacion në zemër, që më pengon të bëj shumë lëvizje aktive, fizikisht e mendërisht jam që të vij në Teatër. Aktualisht s’kam ndonjë projekt të afërt, por më tej mund të marr pjesë në ndonjë prej eventeve që do të mbahen”. /Panorama

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT