Prokuroria Speciale në Kosovë ka ngritur dy aktakuza ndaj dy grave të cilat kanë shkuar në Siri për t’u bërë pjesë e ISIS.
Sipas Prokurorisë, shtetasja L.L., më 08.12.2013 me vetëdije dhe vullnet të plotë ka udhëtuar në Stamboll, nga ku ka kaluar në Siri.
Gruaja në fjalë ka shkuar për me qëllim për t’iu bashkangjitur grupeve terroriste ISIS (Islamic State of Iraq and the Sham) dhe Al-Nusra të cilat veprojnë në Siri dhe Irak. Ajo ka qëndruar atje deri në momentin e kthimit në Kosovë më 20.04.2019.
E njëjta situatë është paraqitur edhe me shtetasen e mitur S.S., e cila më 19.05.2014 ka udhëtuar bashkë me bashkëshortin në Stamboll dhe nga aty kanë përfunduar në destinacionin e tyre në Siri.
Ajo ka qëndruar me grupet terroriste deri në momentin e kthimit në Kosovë më 20.04.2019. Dy shtetaset akuzohen për veprën penale “Organizimi dhe Pjesëmarrja në Grup Terrorist”.