Aksident i rëndë në Dibër, 1 i vdekur dhe 3 të plagosur

Një aksident i rëndë automobilistik është regjistruar mbrëmjen e sotme në Dibër.

Një 26 vjeçar, banues në fshatin Arras, duke drejtuar automjetin tip ‘Opel’, ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga. Si pasojë ka humbur jetën një prej pasagjerëve.

Të plagosur kanë mbetur edhe tre persona të tjerë, mes të cilëve edhe shoferi i automjetit, të cilët janë duke marrë ndihmën e parë në spital.

”Në aksin rrugor rural Kastriot—Arras, shtetasi L. Gj, 26 vjeç, banues në fshatin Arras, duke drejtuar automjetin tip ‘Opel’, ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, ku si pasojë ka humbur jetën në spital pasagjeri M. B., rreth 34 vjeç, si dhe kanë mbetur të lënduar drejtuesi i mjetit dhe dy pasagjerë të tjerë të cilët po marrin ndihmë mjekësore në spital.”, informon policia.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.