Ministri Arben Ahmetaj, në një intervistë për “News24”, sqaroi se pagën e luftës pritet që ta marrin 50 mijë qytetarë. Bëhet fjalë për ata qytetarë, të cilët nuk kanë përfituar pagën e luftës, pasi administratorët e kompanive nuk kanë bërë aplikimin. Ministri shtoi se Këshilli i Ministrave ka hequr instrumentin e aplikimit dhe përfitimi do të shkojë në llogaritë personale të qytetarëve. Këtu ministri u referohet atyre që janë larguar nga puna nga 17 marsi 2020 deri 17 prill 2020.
“Do jepet 40 mijë lekë të reja për ata që janë larguar nga puna nga 17 marsi 2020, deri 17 prill 2020. Përfitojnë 50 mijë qytetarë dhe shkon numri i përfituesve të paketës së dytë në 179 mijë.
Duke mos pritur që administratorë të ndryshëm, në bazë të të dhënave tek Drejtoria e Tatimeve, përfitimi do shkojë në llogaritë personale. Të punësuarit që kanë humbur punën për shkak të pandemisë, do të përfitojnë 40 mijë lekëshin”, u shpreh Ahmetaj.
Më tej ministri bëri me dije se transferimi i parave në llogari do të fillojë nga nesër, pasi administrata tatimore të bëjë verifikimet. Ahmetaj njoftoi gjithashtu se paga e tretë e luftës do të merret brenda 15 qershorit.
“Paga e tretë do të hidhet në mes të qershorit. Paga e tretë do të merret brenda 15 qershorit”, vijoi ministri.