Ahmet Zogu dhe heronjtë që vetëkrenohen

Nga: Agron Gjekmarkaj

Festa e Pavarësisë dhe e Çlirimit, të cilat i festojmë të ndarë, 28-29 Nëntori, si asnjëherë tjetër, u përcollën me bezdinë e një angarie. Kovidi nëpër këmbë, lyer me propagandë qeveritare që shkakton simptomat e virusit, si dhe kredencialet e ulëta të organizatorëve të festës dhanë një dorë në këtë atmosferë. Më shumë në mendje me forcë shokuese vërtiten fotot nga morgu i Tiranës dhe njerëzit futur në thasë, sikur të ishin kërtolla, të hedhur tutje-tehu, sesa respekti i supozuar ndaj dëshmorëve.

Si mund të pretendohet se po nderohen ata kur qytetarët e sotëm trajtohen ashtu. I duhet kujtuar ndokujt se qysh në dëshmitë e para të shkruara mijëra vjet më parë, njeriu krijoi një “etikë të vdekjes”. Akili, pasi e shfryu dufin e tij mbi Hektorin, e lau e veshi, qau mbi kufomën e tij dhe ia dorëzoi të atit. Në “Kanunin e Lek Dukagjinit”, në më të lartin monument të etnosit shqiptar, sanksionohet se edhe po e vrave tjetrin, ke detyrimin të mos e lësh përmbys, t’i vësh një gur poshtë kokës, armën në anë dhe të lajmërosh familjarët.

Nejse, një përzhitje dhe përtesë u shfaq para nesh si zbehje e lidhjes me simbolikat kombëtare. Mesazhet e politikanëve, që janë pothuaj të njëjtat nga viti në vit, dolën nga sirtarët e mediokritetit si erërat nga shakulli i eolit dhe ranë mbi ne bash si stërpikat e ballanxhave të rrugës kur përmes tyre kalon një makinë kaba.

Askush nuk u kujtua për Mbretin Zog aspak shenjtor, pa të cilin Pavarësia si substancë nuk mund të kuptohet, as shteti me brendinë e tij. Ai, për herë të parë pas vitesh të turbullta, u dha formë e përmbajtje atyre. Analizën më të saktë se ku gjendemi pas 108 vitesh nga Ditë e Flamurit e kishte bërë dje Artan Fuga me qartësinë karakteristike të tijën në të gjitha rrafshet që meritojnë vëzhgim.

Vetëm në aspektin urban, pa u marrë me atë konstitucional, gjithçka e bukur që i jep dekor ende sot kryeqytetit dhe qyteteve tona, pamje që nuk të fyejnë shikimin, diçka që të kujton estetikën urbane europiane lidhet me Zogun, ndërsa gjithçka tjetër e flligtë si një gëlbazë orientale në dekadencë, që përshkruan Prof. Fuga me pallate, vija të verdha, kulla, shtëpi tip Elbasani, dyqane, zgëqe, arëza, tufëza, supermarkete, mejhane e akçihane, pllaka trotuaresh e hunj gardhi, kaçile me fiq, është produkt i diktaturës së proletariatit dhe diktaturës së korrupsionit e banalitetit, produkt mendor e fizik i harrestarëve të “malokut gjenial”, siç e pat thirrur një “toskë” gjenial, vetë Faik Konica. Politikisht, jo të gjithë janë të përligjur në  harresë. Disa e kanë të domosdoshme ta harrojnë për të përligjur historinë e tyre, të tjerë po kaq ta kujtojnë nëse duan të ndërtojnë një identitet. Nuk munguan portretet e diktatorit Enver Hoxha dhe zhurma që shkaktojnë nostalgjikët e tij, kjo mishele folklorike poshtërsie njerëzore e banaliteti.

Lexo edhe :   Pse i duhet shkuar deri në fund shkarkimit të Ilir Metës

Diskursi si gjithmonë u fokusua te heronjtë dhe heroikja, te sublimja dhe e përjetshmja. Sot, te ne, heronjtë e vërtetë janë ata që japin tenderë, Kryeministri dhe ministrat e tij tamahqarë e po kaq ata, biravelat me mendjen lodër e barkun kodër që i marrin duke lyer rrotën e lëpirë buzët. Hero që s’ka Vojo Kush që i afrohet, është ai që merr një incenerator dhe një PPP, heroike është përpjekja për t’i mbrojtur ato ku e ku më shumë se bazën ilegale. Hero para të cilit Isa Boletini ngjan si çapaçul është ai që asgjëson të vërtetën për një gënjeshtër, heroike është pafytyrësia për ta bërë këtë. Hero është ai gazetar dhe analist që i jep gjithmonë të drejtë pushtetit gjatë 30 viteve pluralizëm heroike mbetet përpjekja për të fajësuar gjithmonë opozitën me kryetar Ed Ramën apo Lulzim Bashën.

Hero që s’ka Nënë Terezë që i avitet është guximtari që i thotë të fortit rrihe të dobëtin, vidhe të varfrin, heroike përpjekja për ta justifikuar. Hero që s’ka Selam Musa që i rri ngjat, është ai që i jep gjithmonë të drejtë kryetarit dhe heroike, zulma më të cilën u vërtitet armiqve të tij. Hero është ai që ul kryet e që serviloset, heroike ambicia e tij për t’u ngjitur. Heronj më shumë se Luigj Gurakuqi që vdiq me 25 lireta në xhep janë kryetarët e partive dhe heroike përpjekja e tyre për të shndërruar partitë në sekt dhe taraf të vlerave minimale, njerëzore e intelektuale.

Hero krejt si Jan Palashi që u vetëdogj në Pragën e vitit 1968 si proteste ndaj invazionit sovjetik, është qytetari që struket, që rri indiferent, që e dorëzon fatin e vet te rastësia, heroike është dëshira e tij për gjumë pasdite. Hero që s’ka Fishtë, Naim e Kadare që u huazon diçka, është kopuku, matrahuli, shakllabani, teveqeli, xhahili e demagogu bir gjenial i shekullit të ri, trashëgimtar zëmadh i të vjetrit si fytyrë politike, si mentalitet e sjellje publike. Këta janë heronjtë që nuk vdesin kurrë, të cilët s’ka letërsi që i vret, s’ka temperaturë që i skuq, s’ka fjalë që i zverdh, s’ka shoqëri që i mposht. Këta janë heronj që dinë çmimin e çdo gjëje, pjellorë fara e të cilëve nuk shuhet kurrë, por që medet nuk u japim dot festat që meritojnë se nga këta s’e fitojmë kurrë pavarësinë e as çlirohemi dot. Për ta vetëm ditëlindje do të ketë gjithmonë 1908.