Nga Joe Evans “The Week”
Gjashtë vjet pas një armëpushimi midis separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe trupave të qeverisë ukrainase në Ukrainën Lindore, po shtohet shumë shqetësimi mbi mundësinë e një shpërthimi të ri të dhunës mes palëve.
Britanikja “Daily Telegraph”, shkruan se pas një goditje të mediave pro-ruse dhe politikanëve në Ukrainë, Moska ka filluar shtimin e pranisë së saj ushtarake në Rusinë Jugperëndimore, “duke nxitur frikën e armiqësive të ripërtërira në Ukrainën lindore”.
Dislokimi përfshin disa njësi ushtarake, tanke dhe artileri të rëndë, dhe e ka nxitur presidentin ukrainas Volodimir Zelenski të angazhohet sipas “The Guardian” në një raund të furishëm të veprimtarisë diplomatike, përfshirë apelin ndaj NATO-s që të shpejtojë procedurat për shqyrtimin e kërkesës së Kievit për anëtarësimin në aleancë.
Mbërritja e trupave shtesë ruse “në shkallë të gjerë dhe të dukshme”në kufirin me Ukrainën, po ndodh në një kohë kur situata në rajonin e Donbasit në Ukrainën Lindore, ku demostratat qeveritare shpërthyen për herë të parë në vitin 2014 nga grupime pro-ruse dhe anti-BE, është bërë gjithnjë e më e paqëndrueshme.
Një armëpushim i nënshkruar në vitin 2015, “është prishur shumë herë”, raporton “The Moscow Times”, teksa të dyja palët e “akuzojnë njëra-tjetrën për provokime, duke shkëmbyer rregullisht zjarr”, dhe shkaktuar kësisoj një rritje të viktimave midis personelit ushtarak dhe civilëve.
Muajin e kaluar, 4 trupa ukrainase u vranë brenda ditës në përshkallëzimin më të madh të situatës që nga vera e vitit të kaluar. “Gjithsesi, shkalla e manovrave ushtarake ruse, i ka nxitur zyrtarët ukrainas të flasin për një pushtim të mundshëm në shkallë të gjerë të vendit të tyre” raporton më tej “Daily Telegraph”.
Gazeta britanike shton se shërbimi ushtrak i Ukrainës, paralajmëroi publikisht javën e kaluar mbi rrezikun e një inkursioni, teksa presidentin Zelenski e akuzon Moskën për “tregim të muskujve”. Rusia nuk i ka mohuar lëvizjet e trupave pranë kufirit, por një zëdhënës i Kremlinit këmbënguli se ato “nuk po kërcënonin askënd”.
Zëdhënësi i Kremlinit Dimitri Peshkov u tha gazetarëve të martën se ushtria ruse do të bënte gjithçka që ishte e nevojshme “për të garantuar sigurinë e vendit tonë”.Presidenti ukrainas bisedoi po të martën në telefon me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, duke e nxitur atë ta vendoste Ukrainën “në një rrugë të shpejtë drejt anëtarësimit në të ardhmen në aleancë, për t’i dhënë fund konfliktit të gjatë.
Presidenti ukrainas e përsëriti të njëjtën kërkesë gjatë bisedës telefonike që zhvilloi të hënën me kryeministrin britanik Boris Xhonson,dhe të martën me atë kanadez Xhastin Trudo. Xhonson ka folur për “mbështetjen e palëkundur” të Mbretërisë së Bashkuar për Kievin, por qeveria e Ukrainës i bëri thirrje Britanisë dhe aleatëve të saj të “forcojnë praninë e saj” në rajon.
Zyrtarët në Kiev shpresojnë që zyrtarizimi i marrëdhënies së Ukrainës me NATO-n të mund ta pengojë ndërhyrjen ushtarake ruse, pasi kjo lëvizje do të tërhiqte në konflikt ushtri të tjera të fuqishëm perëndimore.
“NATO është mënyra e vetme për t’i dhënë fund luftës në Donbas. Plani i Veprimit të Anëtarësimit në aleancë, do të jetë një sinjal i vërtetë për Rusinë”- i deklaroi Zelenski Stoltenbergut.
Më vonë ky i fundit shkroi në Twitter se kishte folur me presidentin e Ukrainës “për t’i shprehur shqetësimin serioz në lidhje me aktivitetet ushtarake të Rusisë në dhe rreth Ukrainës”, duke shtuar se NATO “mbështet fuqimisht sovranitetin dhe integritetin
territorial të Ukrainës”.
Burime brenda NATO-s i thanë “The Guardian” se anëtarët e aleancës po monitoronin
me kujdes lëvizjen e trupave ruse pranë kufirit, por shtuan se që të anëtarësohet një ditë Ukraina do të duhet të “përqendrohet në reformat e brendshme” dhe “të zhvillojë aftësitë e
saj mbrojtëse në përputhje me standardet e NATO-s”.
Edhe pse në mesin e një konflikti, të dyja vendet si Rusia po ashtu edhe Ukraina kanë thënë se “po bëjnë gjithçka që munden për të shmangur një luftë”, raporton “The Moscow Times”. Synimi i manovrave të Rusisë është ende i paqartë.
Megjithatë “analistët janë të shqetësuar mbi shkallën e përqendrimit të trupave ruse në kufirin me Ukrainën në një kohë tensionesh të rritura midis Moskës dhe Uashingtonit”-shkruan “The Guardian”. Dr.Najxhëll Guld-Dejvies, një analist i vjetër në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, i tha gazetës se kjo lëvizje mund të jetë “më serioze sesa thjesht një shfaqje e forcës”. Ai shton:“Në këtë pikë mendoj se nuk duhet të përjashtojmë asnjë skenar”.
burimi: https://www.theweek.co.uk/news/world-news/russia/952463/is-russia-preparing-another-attack-ukraine
Përshtatur për Tirana Today